Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë detaje rreth momentit dramatik kur agjentët e Shërbimit Sekret e larguan me urgjencë atë dhe bashkëshorten e tij, Melania, pas të shtënave që tronditën Darkën e Korrespondentëve të shtunën mbrëma.
I pyetur mbi faktin se pse evakuimi i tij zgjati më shumë se ai i zëvendëspresidentit JD Vance, ai pranoi: “E vërteta është se isha paksa unë fajtori. Doja të shihja me sytë e mi se çfarë po ndodhte vërtet aty”.
“Nuk ua lehtësova punën agjentëve në ato çaste, pasi kisha kureshtje të kuptoja situatën”, shtoi më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti më pas rikujtoi lëvizjet e tij brenda sallës: “Isha në këmbë dhe në një moment u ktheva për të parë në drejtimin tjetër”.
“Më pas fillova të largohem — paksa i përkulur, pasi siç e dini, nuk kisha dëshirë të qëndroja shumë i gjatë dhe i ekspozuar në atë pozicion”, vijoi rrëfimin e tij Trump.
Ndërkohë, rrjeti televiziv NBC News ka zbuluar se i dyshuari për këtë sulm, i identifikuar si Cole Allen, u kishte dërguar një letër anëtarëve të familjes së tij pak çaste përpara se të hapte zjarr.
Në këtë mesazh lamtumire, Allen u kërkonte ndjesë prindërve, kolegëve dhe personave që mund të ndodheshin në atë ambient, për veprimin që kishte planifikuar të ndërmerrte./lajmishqip.net

