Nehat Geci, vëllai i ish-deputetit Gani Geci, ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e sotme të nipit të tij, Fatos Gecit, duke hedhur dritë mbi zanafillën e fjalimit të tij në parlament.
Përmes një sqarimi, Nehati ka treguar se sot ka qenë në shoqërinë e dy nipërve të tjerë, Festimit dhe Artonit, i cili është vëllai i Fatosit. Ai ka potencuar se në një komunikim të drejtpërdrejtë, ishte vetë Fatosi ai që i kishte rrëfyer se fjalimin e mbajtur sot në Kuvend ia kishte hartuar Ilir Kërçeli nga Lëvizja Vetëvendosje.
Reagimi i plotë:
Të nderuar miq, sot rreth orës 13:50 isha në një prej kafeneve të Skenderajt duke pirë kafe së bashku me dy nipërit e mi, Artonin, vëllanë e Fatosit, dhe Festimin.
Gjatë një bisede telefonike që zhvillova me Fatosin, ai më pohoi personalisht se tekstin e fjalimit që mbajti në seancën e sotme ia kishte shkruar njeriu i VV-së, Ilir Kërçeli, të cilin unë nuk e njihja më parë.
Menjëherë pas këtij pohimi, bëra një hulumtim të shpejtë për të mësuar identitetin e Ilir Kërçelit dhe arrita të siguroj edhe fotografinë e tij.
Kjo është e vërteta e plotë e kësaj historie, dëshmitarë të së cilës janë edhe Artoni dhe Festimi, të cilët ishin të pranishëm gjatë gjithë bisedës./lajmishqip.net

