Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë vizitës së tij në Barcelonë ka dhënë një intervistë për të përditshmen “El Periodico”. Kurti ka potencuar se Madridi zyrtar do të duhej ta kishte pranuar pavarësinë e Kosovës tashmë një kohë të gjatë.
Shefi i ekzekutivit bëri të ditur se është duke u angazhuar maksimalisht që kjo të realizohet, duke argumentuar se nuk ekziston asnjë kontest i hapur mes dy vendeve.
“Mesazhi im është se Spanja nuk guxon ta ndërlidhë rastin e Kosovës me sfidat e saj të brendshme territoriale. Serbia ushtroi gjenocid, prandaj nuk mund të tërhiqet asnjë paralele mes Madridit dhe Beogradit. Ky krahasim është i pamundur dhe njohja duhej të kishte ndodhur vite më parë, megjithatë mbetet hapësirë për reflektim. Jam i përkushtuar në këtë drejtim dhe pres një lëvizje pozitive. Ne nuk kemi kurrfarë mospajtimi me Spanjën. Nuk ka asnjë barrikadë reale për njohjen e Kosovës. Sa më shpejt të korrigjohet kjo vonesë, aq më mirë për raportet tona”, ka deklaruar Kurti për El Periodico./lajmishqip.net
