Deputetja e njohur britanike, Alicia Kearns, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me mundësinë që Bashkimi Evropian t’ia shkurtojë fondet Serbisë. Ky paralajmërim vjen si pasojë e shqetësimeve në rritje për ngecjen e proceseve demokratike në vend dhe lidhjet e ngushta që Beogradi po mban me Rusinë.
Kearns ka theksuar se ky është një sinjal i rëndësishëm, duke u shprehur se Brukseli zyrtar më në fund po reflekton mbi situatën reale në Serbi. Sipas saj, koha e tolerancës ndaj politikave që bien ndesh me vlerat evropiane po i vjen fundi.
“Brukseli më në fund po zgjohet ndaj vdekjes së ngadaltë të lirisë së medias dhe sundimit të ligjit në Serbi. Veprimet kanë pasoja, dhe mbrojtja e lirisë së shtypit duhet të jetë e panegociueshme në pragun e Evropës, e lëre më për çdo anëtarësim të ardhshëm”, ka deklaruar Kearns përmes një reagimi në platformën sociale “X”.
Edhe Komisionerja e re për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka konfirmuar shqetësimet e bllokut gjatë një prononcimi për median prestigjioze “Politico”. Ajo bëri të ditur se Komisioni Evropian është i alarmuar nga zhvillimet e fundit dhe po vlerëson nëse Serbia ende i përmbush kriteret strikte për të përfituar nga instrumentet financiare të Bashkimit Evropian.
Nëse këto masa merren, Serbia po përballet me një rrezik real të humbjes së një mbështetjeje financiare masive, e cila kap vlerën deri në 1.5 miliardë euro. /lajmishqip.net
