Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se përfundimi i luftës me Iranin do të jetë një vendim i bazuar në intuitën e tij personale. Ai theksoi se do ta dijë se kur duhet t’i jepet fund luftimeve vetëm “kur ta ndiejë” atë si momentin e duhur.
I pyetur drejtpërdrejt gjatë një interviste në emisionin “The Brian Kilmeade Show” në Fox Radio, se si do ta identifikojë fundin e konfliktit, Trump u shpreh në mënyrë mjaft specifike. “Kur ta ndiej, në rregull, do ta ndiej atë në kockat e mia”, ishte përgjigjja e tij që nxiti reagime të menjëhershme.
Më herët gjatë kësaj bisede, kreu i Shtëpisë së Bardhë la të kuptohet se përplasja e armatosur mund të mos zgjasë edhe për shumë kohë. Ai sugjeroi se dinamika e ngjarjeve në terren po lëviz drejt një përmbylljeje më të shpejtë nga sa mendohej.
“Nuk mendoj se do të vonojë shumë”, pohoi prerë Trump, duke shtuar kështu dozat e kureshtjes rreth planeve strategjike të administratës së tij për ditët në vijim në atë rajon.
Në anën tjetër, ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Izraelit kanë vazhduar pa ndërprerje operacionet e tyre të koordinuara ushtarake kundër objektivave iranianë. Ky sulm i shkallës së gjerë ka nisur zyrtarisht më 28 shkurt të këtij viti.
Që nga nisja e kësaj fushate ushtarake, presidenti Trump ka ofruar sinjale të ndryshme dhe herë pas here kontradiktore lidhur me kohëzgjatjen, intensitetin dhe objektivat finale të këtij konflikti./lajmishqip.net









