Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Evropian për të miratuar Opinionin mbi Paketën e Zgjerimit 2025. Ky dokument i rëndësishëm u publikua pa fusnotën tradicionale te emri i Kosovës, një veprim që ka nxitur irritim të menjëhershëm në Beograd.
Sipas shefit të diplomacisë serbe, ky ndryshim terminologjik nuk është në përputhje me kornizën neutrale ndaj statusit. Ai theksoi se ky parim përbën bazën e panegociueshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Përmes një reagimi në platformën “X”, Gjuriq paralajmëroi se injorimi i kësaj reference vë në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Ai u shpreh se veprimet e tilla “rrezikojnë të minojnë besimin e brishtë”, mbi të cilin është ndërtuar i gjithë procesi i normalizimit të raporteve.
Gjuriq rikujtoi se fusnota për Kosovën u dakordua me Marrëveshjen e vitit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal. Ai e cilësoi atë si një formulim të balancuar që i referohet qartë Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Për Serbinë, respektimi i këtyre modaliteteve mbetet i domosdoshëm për të mbrojtur besueshmërinë e bisedimeve. Ministri serb bëri të ditur se vendi i tij do të vazhdojë të këmbëngulë që institucionet e BE-së të ruajnë një qasje neutrale në çdo nivel të angazhimit të tyre me Kosovën.
Vendimi i Komitetit të Rajoneve u mor zyrtarisht gjatë seancës së 5 marsit. Dokumenti në fjalë specifikon se, për të siguruar koherencë dhe qartësi politike, si dhe për të reflektuar perspektivën evropiane të Kosovës, terminologjia duhet të unifikohet me atë të Parlamentit Evropian, duke e hequr përfundimisht asteriskun nga dokumentet publike./lajmishqip.net









