Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues lidhur me incidentin e fundit ku mbeti i arrestuar. Ai ka pranuar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer nën një gjendje të rënduar emocionale, duke shprehur pendesë dhe duke kërkuar falje zyrtare për rastin.
Gjatë seancës, Gjesti i është drejtuar me përulësi të dëmtuarit dhe gjykatës, duke insistuar se i gjithë shpërthimi i tij ka qenë rezultat i një momenti afekti. Ai ka sqaruar se nuk ka pasur qëllime të paramenduara, por ka reaguar në mënyrë impulsive.
“Pajtohem plotësisht me deklarimin e avokatit tim. Dua ta njoftoj gjykatën se jam në një gjendje të rëndë ankthi dhe kam vepruar në afekt e sipër. I kërkoj falje të sinqertë gjykatës, prokurorit, si dhe palës së dëmtuar”, deklaroi këngëtari sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Nga ana tjetër, ekipi i tij mbrojtës ka kundërshtuar me forcë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Avokatët kanë argumentuar se në këtë rast nuk ekziston asnjë rrezik real për përsëritjen e veprës penale, raporton më tej “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtja e Kelmendit u thirr në përvojat jetësore dhe parimet psikologjike, duke theksuar se kur një person reagon në mënyrë impulsive, gjasat që ai të përsërisë të njëjtin veprim pas një kohe të shkurtër janë minimale. Sipas tyre, pjekuria e treguar pas incidentit dëshmon se rasti ishte i izoluar.
Gjithashtu, avokati vuri në dukje se buja e madhe mediale dhe vetëdija e të dyshuarit se ndaj tij po zhvillohen hetime, shërbejnë si garanci shtesë për sjelljen e tij në të ardhmen. Ai kërkoi që procesi të vijojë pa pasur nevojë për masa ekstreme izolimi.
Mbrojtja theksoi gjithashtu parimin e proporcionalitetit bazuar në nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale. Avokati Artan Qerkini argumentoi se paraburgimi nuk është masë proporcionale, sidomos kur merret parasysh se për dy nga tri veprat e dyshuara ligji parashikon dënime me gjobë ose burgim deri në një vit.
Për më tepër, mbrojtja njoftoi gjykatën se klienti i tyre është i gatshëm të hyjë në një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Ky hap, sipas tyre, do të shërbente si një faktor zbutës dhe do të eliminonte nevojën për masa të rrepta procedurale gjatë procesit hetimor.
Në aspektin financiar, avokati Qerkini shtoi se paraburgimi do të ishte një goditje e rëndë për Kelmendin. Ai zbuloi se artisti nuk ka performuar për një kohë të gjatë për shkak të obligimeve familjare dhe ka pasur vonesa në marrjen e të hyrave të rregullta nga kompania “Onima”.
Pavarësisht këtyre argumenteve dhe kërkimfaljes së të pandehurit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendimin final. Ndaj Besart Kelmendit – Gjestit është caktuar masa e paraburgimit, nën dyshimin për kryerjen e tri veprave të ndryshme penale./lajmishqip.net










