Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, po përballet me një valë të re akuzash të rënda, të cilat e lidhin atë me ish-policinë sekrete jugosllave, të njohur gjerësisht si Udba. Këto pretendime kanë rikthyer në vëmendje pikëpyetjet mbi të kaluarën e saj dhe integritetin e figurës së lartë të Bashkimit Evropian.
Skena e këtij debati u zhvendos në ambientet e Parlamentit Evropian më 10 mars, gjatë promovimit të librit “Komesarka” nga autori slloven Igor Omerza. Sipas autorit, ky botim përmban dokumente arkivore që vërtetojnë bashkëpunimin e Marta Kos me strukturat e sigurisë së regjimit të kaluar jugosllav.
Aktiviteti u organizua nga eurodeputetja sllovene Romana Tomc, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupit më të fuqishëm politik në Bruksel. Menjëherë pas këtij prezantimi, Tomc i është drejtuar me një letër zyrtare Komisionit Evropian, duke kërkuar sqarime mbi të dhënat tronditëse të paraqitura në libër.
Në letrën e saj, të publikuar edhe në rrjetet sociale, Tomc sugjeron se Marta Kos mund të ketë gënjyer komitetin parlamentar gjatë procesit të emërimit. Ajo rikujtoi se Kos kishte mohuar në mënyrë kategorike çdo lidhje me Udbën, ndërsa dokumentet e reja mund të dëshmojnë të kundërtën.
Eurodeputetja kërkoi nga Komisioni Evropian të bëjë verifikimin e këtyre pretendimeve dhe të marrë masa, duke theksuar se ky institucion është i obliguar të ruajë standardet më të larta të integritetit moral dhe politik të anëtarëve të tij.
Në krahun tjetër, Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështjet e zgjerimit, ka deklaruar se ky institucion ende nuk e ka pranuar zyrtarisht letrën në fjalë. Ai mbrojti procesin e përzgjedhjes së Kos, duke theksuar se ajo i është nënshtruar një verifikimi të imtësishëm përpara se të merrte miratimin e Parlamentit Evropian.
Mercier shtoi se Komiteti për Çështje Juridike i PE-së ka shqyrtuar deklaratën e saj të interesave dhe nuk ka gjetur asnjë konflikt interesi apo parregullsi. Sipas tij, për Komisionin Evropian procesi konsiderohet i mbyllur dhe i rregullt, pa pasur komente shtesë mbi akuzat e fundit.
Drejtoria e Sigurisë Shtetërore (UDBA), e krijuar në vitin 1946 dhe e riemërtuar më vonë si Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, mbetet një temë e ndjeshme. Ky aparat njihet për përndjekjen sistematike të disidentëve politikë dhe operacionet kundër diasporës që shihej si kërcënim për unitetin e Jugosllavisë.
Kjo nuk është hera e parë që Marta Kos sulmohet për këtë çështje. Akuzat e para u shfaqën gjatë vitit 2024, kur ajo ishte kandidate për postin e komisioneres. Në atë kohë, ajo i cilësoi këto raportime si dezinformata të pastra dhe mohoi çdo përfshirje me strukturat e fshehta.
Megjithatë, një zëdhënës i Partisë Popullore Evropiane konfirmoi se grupi po i shqyrton me kujdes zhvillimet e fundit. Ai vuri në dukje se komisionerja ende nuk i ka mohuar publikisht gjetjet e reja të librit të Omerzës, duke lënë të kuptohet se barra e provës tashmë bie mbi të.
Situata pritet të tensionohet më tej në ditët në vijim. Edhe pse ishte parashikuar që Kos të jepte sqarime para Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të hënën më 16 mars, ajo ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në debat, duke shkaktuar irritim te disa zyrtarë të PE-së.
Zyrtarë nga radhët e EPP-së paralajmëruan se shmangia e debatit nuk do të jetë e mundur për një kohë të gjatë. Ata insistojnë se ballafaqimi në komitetin AFET është i pashmangshëm dhe se komisionerja do të gjendet në një pozitë mjaft të vështirë përballë fakteve të reja./lajmishqip.net










