Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se do t’u adresojë partive opozitare një ftesë zyrtare për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Ai ka potencuar se Republika nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe se prioriteti kryesor mbetet përmbyllja e suksesshme e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Si fillim, kam realizuar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy me atë të PDK-së. Fatkeqësisht, në 48 orët finale para mesnatës së 5 marsit nuk pati asnjë takim, gjë që përbën dëm dhe gabim. Ishte e udhës të takoheshim edhe gjatë atyre 48 orëve të fundit. Mos harroni, vetëm kur figura konsensuale u bë e pamundur dhe kur PDK-ja kërkoi votat tona për kandidatë pa emra, ne propozuam Glauk Konjufcën më pak se 30 orë para afatit. Edhe pas kësaj pritëm, mirëpo ftesa për takim me mua u refuzua sërish. Vetëm tri orë para skadimit të afatit nxorëm edhe emrin e Fatmire Mulhaxha Kollçakut. Besoj se duhet patjetër të ulemi me krerët opozitarë, andaj që sot do t’u dërgoj ftesat për javën e ardhshme”, u shpreh ai.
Ky paralajmërim nga kreu i ekzekutivit vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka shpallur ndonjë vendim zyrtar lidhur me këtë situatë./lajmishqip.net









