Aleanca ushtarake Prishtinë-Zagreb alarmon Beogradin: Vuçiq pranon frikën dhe kundërpërgjigjet me raketa supersonike kineze

2 minutes, 30 seconds Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një interviste për televizionin publik “RTS”, ka shprehur një dozë të lartë shqetësimi lidhur me paktin e bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Vuçiq bëri të ditur se për këtë temë ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë në Indi me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Nuk jam Donald Trump apo Vladimir Putin, liderë globalë që i zgjidhin të gjitha me lehtësi. Për mua proceset nuk janë të thjeshta dhe natyrisht që ndjej frikë. Unë synoj paqen, jo luftën apo konfliktet”, deklaroi Vuçiq.

Gjatë muajit mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia zyrtarizuan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes.

“Papritur shfaqet një bashkëpunim ushtarak, një aleancë mes Prishtinës dhe Zagrebit. Kur krijoni një aleancë të tillë ushtarake me një entitet pa dhënë shpjegime, ndonëse për ne qëllimi është i qartë, sigurisht që kjo prodhon shqetësim”, theksoi kreu i shtetit serb.

Ai zbuloi se Plenkoviqi e kishte siguruar që ky partneritet nuk është i drejtuar kundër Serbisë dhe se Beogradi po i jepte peshë të panevojshme kësaj çështjeje.

“E dëgjova arsyetimin e tij dhe kaq. Por, a e kam ende atë ndjenjë shqetësimi dhe frike? Po, e kam”, pohoi Vuçiq.

Duke komentuar ekuilibrat ushtarakë në rajon, Vuçiq nënvizoi se Serbia nuk e nënvlerëson fuqinë e të tjerëve, por mbron me xhelozi reputacionin e ushtrisë së vet.

“Prej një viti dëgjojmë se Serbia ka blerë avionë ‘Rafale’ të përdorur, ndërsa ata do të pajisen me të rinj dhe raketa ‘Meteor’, duke u shfaqur gjithnjë e më superiorë. Ne kemi heshtur. Unë pranoj – po, ju jeni të fortë, andaj dhe ndjej frikë kur formoni aleanca të tilla”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Serbia posedon arsenal ushtarak i cili ende nuk është ekspozuar fare për opinionin publik.

“Nuk do ta minimizoja forcën e Ushtrisë së Serbisë, e aq më pak të tyren. U habitën kur zbuluan se posedojmë ato raketa. Kemi edhe kapacitete të tjera që i mbajmë të fshehura”, tha Vuçiq.

Gjatë intervistës, Vuçiq konfirmoi zyrtarisht se Serbia ka realizuar blerjen e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Posedojmë një numër të konsiderueshëm raketash dhe ky arsenal do të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen”, paralajmëroi ai.

Ndaj blerjes së këtij armatimi të rëndë ka reaguar menjëherë kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Ai theksoi se Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, do të konsultohet me aleatët për këtë zhvillim të ri.

“Do të diskutojmë me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për këto armatime, të cilat përbëjnë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, përfundoi Plenkoviq./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme