Kosova po vazhdon të përballet me sfida serioze sa i përket cilësisë së ajrit të ambientit, gjendje kjo e cila po reflektohet me pasoja tejet negative shëndetësore për mbarë popullatën, duke nxitur sëmundje kardiovaskulare, ato të frymëmarrjes dhe vdekshmëri të parakohshme.
Përkundër disa përmirësimeve, cilësia e ajrit në Kosovë mbetet në nivele shqetësuese, sidomos kur krahasohet me udhëzimet e rrepta të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të vitit 2021, ndonëse trendet aktuale tregojnë një përafrim të mundshëm me objektivat e Bashkimit Evropian për vitin 2030.
Sipas një raporti të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kjo gjendje mbetet alarmante, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur përqendrimet e grimcave jashtëzakonisht të rrezikshme PM10 dhe PM2.5 rriten ndjeshëm.
Të dhënat e siguruara nga IKSHPK përmes 12 stacioneve automatike të monitorimit tregojnë se qytete si Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Gjilani përballen rregullisht me tejkalime të vlerave të lejuara për ndotësit kryesorë të ajrit.
Në periudhat e smogut dimëror, niveli i grimcave PM10 ka arritur deri në 198 µg/m3 në vitin 2022 dhe 149.5 µg/m3 në vitin 2023, ndërsa grimcat edhe më të imëta PM2.5 kanë prekur kulmin deri në 165 µg/m3 gjatë janarit të vitit 2025.
Kjo situatë alarmante ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda në shëndetin e qytetarëve. Instituti thekson se gjatë muajve të ftohtë rritet dukshëm numri i vizitave mjekësore dhe pranimeve spitalore për sëmundje të zemrës dhe të rrugëve të frymëmarrjes.
Studimet e ndryshme tregojnë një ndikim të frikshëm të kësaj ndotjeje. Një hulumtim i OBSH-së ka gjetur se vetëm në Prishtinë 6 në çdo 1000 vdekje lidhen drejtpërdrejt me ndotjen e ajrit. Ndërkohë, një vlerësim i ndikimit në shëndet tregon se rreth 1,150 vdekje në vit në Kosovë i atribuohen niveleve aktuale të grimcave PM2.5, që përbëjnë rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.
“Rezultatet tregojnë se 1,150 raste të vdekjeve në vit (121/100,000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë, i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, citohet të jetë shkruar në raport.
Vlerësimet e IKSHPK-së tregojnë barra totale e sëmundjeve që i atribuohet ekspozimeve ndaj PM2.5, duke u ndalur te normat specifike të vdekshmërisë.
Shkalla më e lartë e vdekshmërisë nga shkaqe specifike që i atribuohet Ndotjes së Ajrit të Ambientit (NAA), është vlerësuar për Sëmundjet Iskemike të Zemrës (SIZ) dhe goditjen në tru (9.4 dhe 8.8 për 100,000 banorë në rrezik), ndërsa për kancerin e mushkërive dhe SPOK, normat janë më të ulëta (4.1 dhe 2.6)./lajmishqip.net










