Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se partitë opozitare kanë dështuar të propozojnë figura të profilit të lartë, të cilët do të mund të gëzonin simpati si te popullata, ashtu edhe te trupa e deputetëve në Kuvend.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë hodhi akuza të drejtpërdrejta për një politikë të udhëhequr nga mllefi, duke theksuar se opozita nuk ka lëvizur asnjë hap nga qëndrimet e vitit të kaluar, ndonëse sjellja e tyre ka pësuar ndryshime.
“Kjo situatë po përsëritet sepse, fatkeqësisht, viti 2025 ka përfunduar sa i përket sjelljes së partive opozitare, por jo edhe qëndrimeve të tyre. Ju e dini mirë se përgjatë vitit 2025, opozita nuk gjente gëzim në sukseset e veta, por kënaqësinë e kërkonte vetëm te mossukseset tona,” u shpreh Kurti.
Sipas tij, e vetmja mënyrë që u ka mbetur atyre për t’u ndjerë të kënaqur është dështimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti e cilësoi këtë si një esencë negative në politikë, e cila në vend të punës, ideve dhe pasionit, ushqehet nga inati dhe një lloj ithtësie e panevojshme.
Në mbyllje të kritikës së tij, kryeministri theksoi se dorëzimi i tyre vjen si pasojë e humbjes së besimit në fitore. Sipas Kurtit, në imagjinatën e tyre ata e shohin veten të paaftë për të fituar, prandaj e vetmja gjë që u mbetet është të gjejnë kënaqësi në pengimin e tjetrit. /lajmishqip.net









