Hamza pas takimit me Osmanin: PDK pranon çdo datë, përgjegjësia për zgjedhjet e pashmangshme i mbetet Vetëvendosjes

1 minute, 21 seconds Read

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja parlamentare tashmë janë bërë të paevitueshme, pas konsultimeve që zhvilloi sot me presidenten Vjosa Osmani.

Pas përfundimit të seancës në Presidencë, Hamza sqaroi se prania e tij erdhi në shenjë respekti ndaj institucionit të kreut të shtetit, ku fokusi i bisedës ishte koordinimi për caktimin e terminit të votimeve.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Ai potencoi se ekzistonin mundësi të shumta që vendi të mos katandisej në këtë krizë, por përgjegjësinë kryesore për këtë ngërç politik ia faturoi drejtpërdrejt Lëvizjes Vetëvendosje.

Hamza nënvizoi se Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet gjatë gjithë kësaj periudhe, duke bërë përpjekje maksimale që institucionet të stabilizoheshin me zgjedhjen e presidentit.

“Ne nuk kemi vendosur asnjë barrikadë apo ‘vija të kuqe’ ndaj asnjë subjekti dhe nuk kemi refuzuar asnjë proces; prioriteti ynë ka qenë ruajtja e stabilitetit shtetëror”, deklaroi ai.

Sipas tij, PDK do të respektojë çdo verdikt që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese, derisa shfaqi besimin se Presidentja i ka peshuar me kujdes të gjitha variantet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Hamza bëri të qartë se për Partinë Demokratike, çfarëdo date që do të dekretohet nga ana e Presidentes do të jetë tërësisht e pranueshme dhe legjitime.

Ai e përmbylli deklaratën duke thënë se, ndonëse këto zgjedhje ishin të panevojshme, ato mbeten kushtetuese dhe në këtë fazë janë shndërruar në të vetmen rrugëdalje./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme