Presidenti i ShBA-së ka deklaruar prerazi synimin e tij për eliminimin e plotë të elitës aktuale drejtuese në Iran, duke konfirmuar se tashmë posedon emra konkretë për figurën që do të marrë frenat e shtetit.
“Synimi ynë është të hyjmë atje dhe të spastrojmë çdo gjë,” u shpreh Trump gjatë një interviste për NBC News. Ai nënvizoi se nuk kërkon një proces që zgjat dhjetë vite për ribashkimin e vendit, por një udhëheqës të aftë, duke shtuar se ka identifikuar individë që mund ta kryejnë këtë mision me sukses, pa zbuluar identitetin e tyre.
Sipas tij, Uashingtoni po ndërmerr masa aktive për të garantuar që këta “kandidatë” të listës amerikane të mos eliminohen gjatë luftimeve aktuale. “Po, jemi duke i vëzhguar me shumë kujdes,” potencoi Trump.
Deklaratat e Ministrit të Jashtëm iranian, Araghchi, rreth gatishmërisë për përballje tokësore me forcat amerikano-izraelite, Trump i cilësoi si “të padobishme”, duke sqaruar se për momentin nuk ka qëllime të tilla. “Është thjesht humbje kohe; ata tashmë kanë humbur çdo gjë, përfshirë marinën dhe çdo aset tjetër që mund të humbej,” paralajmëroi ai, duke shtuar se ritmi dhe intensiteti i sulmeve do të vijojnë pa u ndalur.
Gjatë ditës së enjte, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se do të jetë “personalisht i përfshirë” në përcaktimin e pasardhësit të Ali Khameneit, duke bërë të qartë se nuk do të pranojë që djali i tij, Mojtaba Khamenei, të marrë pushtetin.
“Djali i Khameneit është një figurë krejtësisht e parëndësishme; unë do të diktoj procesin ashtu siç vepruam me rastin e Venezuelës,” deklaroi ai gjatë intervistës për Axios, duke prerë çdo mundësi për trashëgimi familjare. Ai shtoi se kusht i pakontestueshëm është emërimi i dikujt që do të instalojë paqen dhe harmoninë në Iran./lajmishqip.net









