Bombarduesit iranianë ishin vetëm pak minuta larg goditjes së bazës më të madhe ushtarake që strehon trupat amerikane në Lindjen e Mesme, përpara se fluturaket e Katarit t’i rrëzonin në misionin e tyre të parë luftarak ajror, bëjnë të ditur dy burime të afërta me operacionin për CNN.
Gjatë mëngjesit të së hënës, Garda Revolucionare e Iranit nisi dy bombardues taktikë të tipit Su-24, të prodhimit sovjetik, në drejtim të bazës ajrore Al-Udeid, ku zakonisht qëndrojnë 10,000 trupa amerikane, dhe drejt Ras Laffan, një qendër jetike për përpunimin e gazit natyror dhe shtyllë e ekonomisë katariane, transmeton Telegrafi.
Aeroplanët iranianë ndodheshin vetëm “dy minuta” larg shënjestrave të tyre, pohoi njëri nga burimet. Një burim i dytë i tha CNN-it se fluturaket u identifikuan vizualisht dhe u fotografuan “duke bartur bomba dhe municione”.
Autoritetet katariane lëshuan një paralajmërim radiofonik, por nuk morën asnjë përgjigje nga mjetet fluturuese, të cilat kishin zbritur në një lartësi prej 80 metrash për t’iu shmangur detektimit nga radari, theksoi burimi i dytë.
Për shkak të “kufizimeve kohore” dhe “bazuar në dëshmitë ekzistuese”, aeroplanët u “klasifikuar si armiqësorë”, shtoi tutje burimi i dytë.
Më pas, Katari ngriti në fluturim gjuajtësit e tij dhe një F-15 katarian u përball me fluturaket iraniane në një “betejë ajrore” përpara se t’i eliminonte ato, sqaroi burimi i dytë.
Mjetet fluturuese iraniane ranë në ujërat territoriale të Katarit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme katariane, Majed al-Ansari, deklaroi në një konferencë të martën se operacionet e kërkim-shpëtimit për ekuipazhin po vazhdojnë.
Irani ka lansuar qindra raketa dhe dronë drejt shteteve arabe përgjatë Gjirit Persik, si akt hakmarrjeje për sulmet ajrore amerikane dhe izraelite mbi territorin e tij.
Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, u vra gjatë valës së parë të goditjeve të së shtunës, kur sulmet shkatërruan rezidencën e tij në Teheran.
Megjithatë, operacioni i guximshëm iranian mbi Katar shënoi rastin e parë që Teherani përdori fluturake me pilot për të sulmuar një shtet fqinj që nga vdekja e Khameneit – dhe herën e parë që forcat ajrore të Katarit janë përfshirë në luftime ajër-ajër./lajmishqip.net










