Pas zyrtarizimit të propozimit nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e Presidentit të Republikës, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka dhënë komentet e tij të para lidhur me këtë kandidaturë.
Gjatë një prononcimi për medie, ai ka shtruar dilemën se cilin kandidat do të ishin të gatshme ta mbështetnin partitë opozitare në rast se refuzojnë emrin e tij, njofton Klankosova.tv.
“Ky ishte një nominim i Vetëvendosjes dhe tashmë procesi po ecën përpara. Vlerësoj se skenari më i drejtë do të ishte që edhe opozita të dalë me propozimin e saj. Pyetja që po shmanget këto ditë është: nëse nuk e mbështetni Glauk Konjufcën, cilin emër tjetër do ta votonit? Meqenëse mund të propozohet dikush tjetër në vendin tim, por as LDK e as PDK nuk po e bëjnë një gjë të tillë, jam tejet kureshtar të kuptoj se cili është ai profil që do të merrte votën e tyre”, deklaroi Konjufca./lajmishqip.net









