Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se ky subjekt politik nuk do ta përkrahë kandidaturën e Glauk Konjufcës për postin e presidentit e as ndonjë figurë tjetër me sfond të pastër partiak.
Para gazetarëve, ai sqaroi se PDK-ja nuk ka paraqitur asnjë kandidat të vetin për këtë pozitë, duke qenë se aktualisht nuk i posedon numrat e nevojshëm në legjislativ.
“Ne kemi marrë vendim të prerë: nuk e mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës dhe asnjë propozim tjetër partiak. Siç po vërehet, po bëhen përgatitje që seancat të mos mbahen fare, gjë që përbën përmbysje të rendit kushtetues, pasi sot Kuvendi do të duhej të mblidhej për ta zgjidhur apo jo çështjen e presidentit”.
“Nuk kemi propozuar kandidat, sepse thjesht nuk i kemi votat e mjaftueshme”, përfundoi Gruda./lajmishqip.net









