Spanja ka pranuar të koordinohet me forcat e armatosura të ShBA-së, bëri të ditur të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi ndërprerjen e raporteve tregtare me Madridin, si pasojë e qëndrimit kundërshtues të këtij shteti ndaj operacioneve ushtarake amerikano-izraelite në Iran.
“Besoj se ata e kanë pranuar mesazhin e presidentit dje në mënyrë tejet të qartë. Sipas informacioneve të fundit, Madridi zyrtar tashmë është pajtuar për bashkëpunim me ushtrinë tonë”, deklaroi Leavitt gjatë një konference për medie, sipas raportimeve të agjencisë “Reuters”.
Trump kishte hedhur idenë e një embargoje të ashpër tregtare ndaj Spanjës, pasi kjo e fundit refuzoi t’u jepte leje avionëve amerikanë për shfrytëzimin e bazave ajrore dhe detare në jug të vendit për ofensivën në Lindjen e Mesme. Deri më tani, Spanja i ka cilësuar goditjet ndaj Iranit si veprime të pamatura dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Megjithë njoftimin nga Uashingtoni, zëvendëskryeministrja spanjolle, Maria Jesus Montero, theksoi të mërkurën se Spanja “nuk do të shndërrohet në vasale” të asnjë fuqie tjetër. Në një adresim paraprak, kryeministri Pedro Sanchez ripërsëriti qëndrimin e tij kundër luftës, duke paralajmëruar se ky konflikt mund të shkaktojë një katastrofë me përmasa globale./lajmishqip.net









