Konflikti i hapur ka përfshirë tashmë tërë Lindjen e Mesme, pasi lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u eliminua gjatë sulmeve masive të ndërmarra nga ShBA-ja dhe Izraeli këtë të shtunë, zhvillim ky që u pasua nga thirrja e drejtpërdrejtë e Presidentit Donald Trump drejtuar iranianëve për përmbysjen e regjimit.
Teherani zyrtar është kundërpërgjigjur duke lëshuar breshëri raketash dhe dronësh në të gjithë rajonin, duke shënjestruar Izraelin, Bahrejnin, Kuvajtin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Arabinë Saudite, Qipron, si dhe anijet tregtare që lundrojnë në Ngushticën e Hurmuzit.
Formacioni i Hezbollahut në Liban, i mbështetur fuqishëm nga Irani, i është bashkuar luftimeve duke goditur Izraelin nga bazat e tij veriore, gjë që nxiti reagimin e menjëhershëm izraelit me sulme dërrmuese mbi objektivat e tyre në territorin libanez.
Në vijim, analizojmë rrjedhën e kësaj lufte frontale të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, impaktin e saj në stabilitetin rajonal dhe parashikimet për kohëzgjatjen e operacionit.
ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të koordinuara këtë të shtunë, duke targetuar infrastrukturën strategjike raketore, bazat ushtarake dhe kupolën drejtuese të Iranit.
Khamenei, i cili mbante timonin e Iranit që nga viti 1989, u eliminua kur rezidenca e tij në Teheran u rrafshua tërësisht gjatë valës së parë të goditjeve ajrore.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmojnë se dhjetëra figura të larta politike dhe komandantë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) janë vrarë gjithashtu, përfshirë Ali Shamkhanin, Aziz Nasirzadehun dhe Mohammad Pakpourin.
Garda Revolucionare tashmë ka emëruar me urgjencë Ahmad Vahidin si komandantin e ri të përgjithshëm të këtij formacioni.
Deri të hënën, Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane raportoi se 555 persona kanë humbur jetën në lokacione të ndryshme në Iran; ndërsa zyrtarët iranianë pretendojnë se mbi 150 viktima, përfshirë fëmijë, u shënuan nga një goditje mbi një shkollë pranë një baze ushtarake.
Qasja në internet brenda Iranit është pothuajse tërësisht e bllokuar, ndërkohë që hapësira ajrore mbetet e mbyllur hermetikisht për fluturime civile.
Pavarësisht goditjeve, ushtria iraniane thuhet se ende ruan kapacitete për të ndërmarrë sulme hakmarrëse në distancë.
Gjatë të dielës, forcat amerikane dhe izraelite vijuan me goditje të tjera mbi kryeqytetin dhe pika strategjike, ku Trump njoftoi se janë fundosur nëntë anije luftarake dhe është asgjësuar selia detare e regjimit.
Po cilat janë motivet reale që shtynë ShBA-në dhe Izraelin drejt këtij sulmi frontal?
Presidenti Trump ka deklaruar se qëllimi kryesor i këtij operacioni mbetet garantimi që Irani të mos posedojë kurrë armatim bërthamor.
“Ne do t’i shkatërrojmë kapacitetet e tyre raketore dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre ushtarake, e cila do të asgjësohet tërësisht sërish”, theksoi ai në një video-mesazh të publikuar në Truth Social.
Ai u dha një ultimatum forcave të armatosura iraniane që të dorëzojnë armët në këmbim të imunitetit, përndryshe do të përballen me një fund të sigurt.
Trump i bëri thirrje popullit iranian që të mobilizohet për përmbysjen e sistemit klerikal, duke e cilësuar këtë si shansin e vetëm për brezat e ardhshëm.
Ky operacion masiv ushtarak, i pagëzuar si “Operacioni Epic Fury”, vjen pas paralajmërimeve disajavore të Trumpit për veprime ushtarake në rast të mungesës së një marrëveshjeje të re bërthamore.
Irani, në anën tjetër, ka insistuar vazhdimisht se programi i tij ka qëllime tërësisht paqësore.
Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se synimi është çmontimi i aparatit të sigurisë së regjimit, duke goditur pikat që përbëjnë rrezik të menjëhershëm.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ky operacion synon largimin e kërcënimit ekzistencial që paraqet ky regjim terrorist për sigurinë e rajonit.
Teherani i ka cilësuar këto goditje si të paligjshme dhe të paprovokuara, duke u kundërpërgjigjur me sulme në shkallë të gjerë.
Si u reflektua kundërpërgjigjja e Iranit në terren?
Irani ka lëshuar raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit, vendeve aleate të ShBA-së në Gji, një baze britanike në Qipro dhe anijeve në zonat bregdetare.
IRGC pretendon se ka goditur baza ushtarake në Tel Aviv dhe zona të tjera, ndonëse u raportua se nëntë civilë mbetën të vrarë nga goditja e një lagjeje banimi në Beit Shemesh.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë konfirmoi se një dron ka goditur bazën Akrotiri në Qipro, duke nxitur evakuimin e personelit, ndonëse nuk pati viktima në njerëz.
Shënjestër e sulmeve u bënë edhe Katari, Bahrejni, Jordania, Emiratet dhe Kuvajti – vende që strehojnë baza ushtarake amerikane – si dhe Omani e Arabia Saudite.
Shpërthime të forta u dëgjuan në Dubai, Doha dhe Manama, derisa ushtria iraniane pohoi përdorimin e raketave lundruese kundër bazave ajrore në Kuvajt dhe flotës në Oqeanin Indian.
Nuk u kursyen as objektet civile, përfshirë hotele në Dubai, që u goditën krahas instalimeve ushtarake strategjike.
ShBA-ja dhe aleatët arabë lëshuan një notë të përbashkët dënimi, duke e cilësuar shënjestrimin e civilëve si një sjellje destruktive dhe destabilizuese.
Të hënën, tre avionë amerikanë u rrëzuan mbi Kuvajt si pasojë e një incidenti që ushtria e cilësoi si “zjarr miqësor”, fatmirësisht pa pasoja për pilotët.
Gjatë fundjavës, Pentagoni konfirmoi vrasjen e tre ushtarëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve gjatë operacioneve të nisura nga territori i Kuvajtit.
Ushtria amerikane njoftoi edhe për një viktimë të katërt gjatë të hënës, pa dhënë detaje specifike mbi rrethanat e ngjarjes.
Një front i ri u hap kur Hezbollahu sulmoi Izraelin, gjë që detyroi IDF-në të bombardonte Bejrutin dhe jugun e Libanit.
Ky grup i armatosur, si aleat besnik i Teheranit, deklaroi se po hakmerret direkt për vrasjen e Khameneit.
Zyrtarët libanezë raportojnë për dhjetëra viktima, ndërsa Izraeli ka kërkuar evakuimin e 50 fshatrave në pritje të operacioneve që mund të zgjasin disa ditë.
Si po reagon ekonomia botërore dhe tregu i energjisë?
Instabiliteti në Gji ka filluar të tronditë ekonominë globale, veçanërisht pas sulmeve ndaj industrisë energjetike.
Kompania shtetërore e Katarit ndali prodhimin e gazit natyror, duke shkaktuar një rritje prej 50% të çmimeve brenda një dite.
Dronët iranianë goditën rafinerinë Ras Tanura në Arabinë Saudite, duke detyruar mbylljen e pjesshme të kapaciteteve të saj prodhuese.
Irani ka lëshuar paralajmërime për bllokimin e Ngushticës së Hurmuzit, përmes së cilës kalon 20% e naftës botërore.
Kjo ka sjellë një rritje prej 10% të çmimit të naftës, duke nxitur frikën për shtrenjtim të karburanteve dhe efekte zinxhir në tregjet ndërkombëtare.
Kush do ta trashëgojë pushtetin e Khameneit në Teheran?
Irani ka njoftuar se do të procedojë shpejt me emërimin e pasardhësit; tashmë është formuar një këshill tranzitor udhëheqës. Ky këshill përbëhet nga Presidenti Pezeshkian, kreu i gjyqësorit Ejei dhe kleriku Alireza Arafi.
Zgjedhja formale i takon Asamblesë së Ekspertëve, e përbërë nga 88 klerikë të lartë.
Megjithatë, procesi kushtetues mund të hasë në pengesa serioze për shkak të situatës së luftës dhe rreziqeve të sigurisë.
Pyetja kryesore mbetet: sa mund të zgjasë kjo luftë dhe a është e sigurt qarkullimi në rajon?
Trump deklaroi se sulmet do të vijojnë pa ndërprerje aq sa të jetë e nevojshme, ndonëse sugjeroi një afat kohor më të shtrirë.
Për New York Times, ai tha se operacionet mund të mbajnë këtë ritëm për katër deri në pesë javë.
Së fundmi, ai u shpreh për CNN se procesi është para afatit dhe se nuk dëshiron që lufta të zgjasë më shumë se një muaj.
Netanyahu po ashtu konfirmoi se fushata ushtarake nuk do të ndalet pa u përmbushur të gjitha objektivat strategjike.
Autoritetet ndërkombëtare udhëzojnë udhëtarët të jenë tejet të kujdesshëm dhe të kontrollojnë këshillat zyrtare për çdo destinacion në Lindjen e Mesme.
Mijëra fluturime janë anuluar, duke shënuar paralizën më të madhe të transportit ajror global që nga periudha e pandemisë.
Kompanitë si Emirates dhe flydubai kanë pezulluar fluturimet, ndonëse po tentojnë një rifillim të kufizuar gjatë të hënës.
Aeroportet e Dubait kanë njoftuar një rinisje parciale të operacioneve nga qendrat e tyre kryesore.
Nga Doha aktualisht nuk ka asnjë fluturim, pasi hapësira ajrore e Katarit mbetet e mbyllur plotësisht.
Virgin Atlantic ka anuluar linjat drejt Heathrow, ndërsa British Airways ka pezulluar fluturimet për Tel Aviv dhe Bahrejn.
Wizz Air ka shtyrë fluturimet deri më 7 mars për shumicën e destinacioneve në rajon.
Kuvajti ka ndaluar çdo lidhje ajrore me Iranin deri në një njoftim të dytë zyrtar.
Anulime kanë njoftuar edhe Lufthansa, Air India dhe Turkish Airlines.
Shtete si Iraku dhe Jordania kanë mbyllur gjithashtu hapësirat e tyre ajrore për arsye sigurie./lajmishqip.net










