Në një adresim para gazetarëve në Kombet e Bashkuara, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit në OKB, Danny Danon, konfirmoi se “operacioni i përbashkët ShBA–Izrael kundër regjimit iranian po vijon”, duke potencuar se të dyja fuqitë po veprojnë “me forcë, koordinim dhe vendosmëri të plotë”.
Ai u shpreh falënderues ndaj presidentit Trump dhe kryeministrit Netanyahu për udhëheqjen e palëkundur dhe qartësinë morale në këtë etapë kritike, duke shtuar se “objektivat tona janë të prera: eliminimi i armëve bërthamore, asgjësimi i kërcënimit nga raketat balistike, shkatërrimi i flotës detare dhe goditja e rrjetit të proksive të regjimit”.
Danon nënvizoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po godasin “me vendosmëri, në mënyrë kirurgjikale dhe pa kërkuar falje”, ndërkohë që akuzoi Teheranin se “po reagon në mënyrë të çrregullt nga dëshpërimi i thellë”.
Ai vuri në pah se janë lëshuar raketa drejt Izraelit, por edhe ndaj shteteve të rajonit e madje edhe në territor evropian, përkatësisht në Qipro, duke shtuar se ky veprim nuk përbën strategji. “Ky është panik; ky është dëshpërim i pastër”, deklaroi ai.
Duke bërë një paralelizëm të drejtpërdrejtë, ai pohoi: “Ne shënjestrojmë infrastrukturën ushtarake, ndërsa ata shënjestrojnë familjet”, duke shtuar se ky regjim “terrorizon popullin e vet, na terrorizon ne dhe aktualisht po tenton të terrorizojë mbarë rajonin dhe botën”.
Përkundër humbjeve të shënuara, ai theksoi se “nuk do të ketë ndalesë derisa të realizojmë plotësisht objektivat tona”.
Duke paralajmëruar për rrezikun e një Irani të pajisur me arsenal bërthamor, ai shtoi: “Ky nuk është një rrezik që ne e tolerojmë; është një realitet që nuk do ta lejojmë kurrë, andaj operacioni i përbashkët ishte i pashmangshëm”.
Lidhur me kritikat brenda OKB-së, ai sqaroi se fotografia e publikuar nga zyrtarë të organizatës është realizuar në fund të janarit dhe paraqiste civilë “të vrarë nga vetë regjimi iranian”.
Ai ripërsëriti zotimin se “do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur popullin tonë dhe integritetin e kufijve tanë”.
Gjatë përgjigjeve për mediet, ai ritheksoi se “një nga synimet kyçe të operacionit mbetet sigurimi që ata të mos zotërojnë kapacitete bërthamore për të kërcënuar botën”, duke shtuar se “do të bëjmë gjithçka që kërkohet për ta garantuar këtë”.
Sa i përket kohëzgjatjes së aksionit ushtarak, ai deklaroi se do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme, duke pranuar se “nuk është e lehtë për qytetarët në Izrael që po qëndrojnë në strehimore prej ditësh” dhe se “sakrifica e tyre do të vazhdojë deri në arritjen e misionit”.
Duke iu drejtuar izraelitëve që po jetojnë nën alarm të vazhdueshëm, ai u bëri thirrje të qëndrojnë stoikë.
“Kjo gjendje nuk do të zgjasë përgjithmonë; po bëni një sakrificë për të ardhmen e Izraelit”, tha ai, duke shtuar se “nën udhëheqjen e Trumpit dhe Netanyahut, më në fund po veprojmë për ta bërë rajonin dhe botën një vend më të mirë”.
Lidhur me të ardhmen e udhëheqjes në Iran, ai shprehu shpresën për ndryshim, duke deklaruar se “populli iranian meriton një lidership më dinjitoz dhe besoj se liria e tyre do të vijë më shpejt nga sa parashikohet”.
Në mbyllje, duke komentuar raportimet për goditjen e një shkolle në Iran, ai tha: “Na vjen keq për çdo jetë civili; sipas informatave që posedoj, është Garda Revolucionare ajo që ka goditur shkollën, pasi ne godasim vetëm objektiva ushtarakë, ndryshe nga iranianët”./lajmishqip.net










