Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, konfirmoi se i ka kërkuar kreut të Shtëpisë së Bardhë rritjen e trysnisë ndaj Vladimir Putinit lidhur me luftën në Ukrainë.
“Rusia po tenton të blejë kohë dhe me këtë veprim po sfidon vullnetin e presidentit amerikan; andaj në bisedimet e sotme kam kërkuar intensifikim të presionit ndaj Moskës”, deklaroi Merz para gazetarëve, sipas raportimit të agjencisë “Reuters”.
Përkundër faktit që ShBA-ja, Rusia dhe Ukraina po zhvillojnë bisedime trepalëshe për arritjen e paqes, kancelari gjerman nënvizoi se vetëm një marrëveshje e mbështetur fuqishëm nga Evropa do të jetë realisht e qëndrueshme.
“Nuk jemi të përgatitur të pranojmë asnjë pakt që negociohet pa përfshirjen tonë të drejtpërdrejtë apo mbi kokat tona”, theksoi prerazi Merzi.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Gjermania dhe ShBA-ja ndajnë një qëllim të përbashkët strategjik: largimin e regjimit aktual iranian nga pushteti.
Ndërkaq, Trump pohoi nga Zyra Ovale se Gjermania ka ofruar mbështetje konkrete në fushatën ushtarake kundër Iranit duke lejuar qasjen në baza të caktuara, ndërsa kritikoi Britaninë dhe Spanjën për mungesë bashkëpunimi./lajmishqip.net









