Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka publikuar zyrtarisht emrat e trupave të parë që ranë në frontin e hapur mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Gjashtë pjesëtarë humbën jetën pasi një “mjet fluturues pa pilot” shmangu mbrojtjen ajrore dhe goditi qendrën komanduese në Portin Shuaiba të Kuvajtit, gjatë të dielës.
Fillimisht, Komanda Qendrore e ShBA-së raportoi për tre të vrarë, por zyrtarët konfirmuan të hënën se numri është dyfishuar pas vdekjes së një të plagosuri dhe gjetjes së dy trupave nën rrënoja.
Këta gjashtë ushtarë shënojnë viktimat e vetme të konfirmuara zyrtarisht nga Pentagoni që prej fillimit të ofensivës së përbashkët me Izraelin kundër Iranit.
Katër prej tyre, të gjithë pjesëtarë të rezervës ushtarake, u identifikuan këtë të martë: Kapiteni Cody Khork, 35 vjeç; Rreshteri Noah Tietjens, 42 vjeç; Rreshterja Nicole Amor, 39 vjeçe dhe Rreshteri Declan Coady, 20 vjeç.
Khork, me banim në Florida, kishte një përvojë të pasur shërbimi në Arabinë Saudite, Guantanamo Bay dhe në Poloni.
Amor nga Minnesota kishte shërbyer më parë në Kuvajt dhe Irak. Tietjens, banor i Nebraskës, kishte kryer dy misione në Kuvajt. Të tre këta pjesëtarë ishin ushtarë të dekoruar për shërbimin e tyre.
Coady u gradua pas vdekjes nga specialist në rreshter, bëri të ditur ushtria amerikane. Si banor i Iowas, ai ishte bërë pjesë e rezervës ushtarake vetëm tri vite më parë.
Gjatë një konference të hënën, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se një “armë e fuqishme” kishte goditur një “qendër operacionale taktike të fortifikuar”.
Tre zyrtarë ushtarakë me informacione për sulmin i thanë BBC-së se ushtarët po punonin në hapësira zyrash të improvizuara. Ata vunë në dyshim fortifikimin e godinës, duke treguar se si zyrë po përdorej një rimorkio me mbrojtje barrierash betoni.
ShBA-të mbajnë një bashkëpunim të kamotshëm mbrojtjeje me Kuvajtin, ku aktualisht janë të stacionuar mbi 13 mijë trupa amerikane.
Irani ka reaguar ndaj goditjeve kundër tij duke lëshuar raketa ndaj shteteve të Gjirit që janë aleate të ShBA-së. Bahrejni, Emiratet, Arabia Saudite, Omani dhe Katari janë përballur gjithashtu me sulme.
Veçmas ngjarjes në Kuvajt, ShBA-të konfirmuan se tre avionë luftarakë u rrëzuan pas një incidenti të cilësuar si “zjarr miqësor”. Pamjet tregonin mjetet fluturuese duke u përplasur në tokë pas goditjes gabimisht. Pilotët arritën të katapultoheshin me parashutë dhe fatmirësisht mbijetuan.
Ndonëse media shtetërore iraniane pretendoi se ushtria e tyre i kishte rrëzuar avionët, deri më tani nuk është ofruar asnjë dëshmi./lajmishqip.net










