Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka qenë i ftuari qendror në emisionin “Pressing” në T7, ku ka analizuar zhvillimet e fundit rreth postit të kreut të shtetit.
Ai ka bërë të ditur prerazi se nuk mund të ofrojë emra konkretë për kandidatët për President të Republikës pa pasur paraprakisht një dakordim të mirëfilltë politik.
Më tej, Hamza ka nënvizuar se refuzon të pranojë që dikush mund të mendojë se ai do të propozonte një figurë që nuk i përmbush të gjitha standardet dhe karakteristikat e nevojshme për këtë pozitë të lartë.
“Nëse arrihet marrëveshja që propozimi të vijë nga PDK-ja, kandidati mund të jetë brenda strukturave tona ose një personalitet i jashtëm. Nuk dua të besoj që do të propozoja një emër që nuk i posedon të gjitha atributet dhe dinjitetin që kërkohet për një kandidat apo kandidate për President”, ka deklaruar ai./lajmishqip.net









