Një bilanc tragjik është shënuar në Tel Aviv, ku një person ka humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur si pasojë e një goditjeje raketore iraniane. Sipas raportimeve të fundit mediatike, raketa goditi drejtpërdrejt një ndërtesë, duke shkaktuar pasoja të rënda.
Detajet e kësaj ngjarjeje janë konfirmuar edhe nga prestigjiozja britanike “The Guardian”. Raportohet se shpërthimi ka krijuar një situatë emergjente në zonën e banuar, duke vënë në lëvizje të gjitha strukturat e sigurisë dhe ndihmës së shpejtë.
Komandanti i zjarrfikësve dhe shërbimit të shpëtimit për distriktin e Tel Avivit deklaroi se ndërtesa u shemb pjesërisht pas impaktit. Menjëherë pas goditjes, një zjarr masiv ka shpërthyer në objektin e dëmtuar, njofton gazeta izraelite “Haaretz”.
Deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat tetë persona që kishin mbetur të bllokuar. Operacionet e kërkimit po vazhdojnë me intensitet të lartë, nën frikën se nën strukturën e shembur mund të ketë ende njerëz të tjerë. /lajmishqip.net









