Donald Trump, gjatë një seance pyetje-përgjigje me gazetarët, ka lënë të kuptohet se raportimet mbi vdekjen e Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, mund të jenë të vërteta. Sipas rrjetit amerikan NBC News, dyshohet se Khamenei u eliminua gjatë sulmeve të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit.
I pyetur drejtpërdrejt nëse kishte marrë një konfirmim zyrtar apo nëse besonte se Khamenei nuk jeton më, Trump u tregua i matur, por tejet sugjestiv. “Nuk dëshiroj të bëj komente specifike për këtë, por qarkullojnë zëra dhe pretendime të forta se ai është vrarë,” transmeton Ballkani.info.
Sa i përket reagimit të tij ndaj këtij lajmi akoma të pakonfirmuar plotësisht, presidenti amerikan mbajti një qëndrim të prerë lidhur me trashëgiminë e udhëheqësit iranian. Ai vuri në dukje se figura e Khameneit lidhet me vuajtje të mëdha: “Ai ishte përgjegjës për vdekjen e shumë njerëzve. Shkatërroi jetë, familje të tëra dhe rrënoi një vend të tërë.”
Lidhur me burimet e tij të informacionit dhe shkallën e besueshmërisë së këtij raportimi, Trump shpjegoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë dhe individë të rëndësishëm. “Kam biseduar me shumë njerëz dhe jemi të sigurt në ato që po dëgjojmë… ne besojmë se kjo histori është e saktë,” përfundoi ai. /lajmishqip.net









