Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar si “ofertë” kërkesën që posti i presidentit t’i takojë subjektit që ai drejton.
Gjatë një konference për media, kreu i qeverisë sqaroi se në takimin e sotëm nuk është diskutuar asnjë emër i përveçëm, duke konfirmuar se palët nuk kanë arritur të gjejnë një kandidat konsensual për këtë pozitë të lartë shtetërore.
Kurti vuri në dukje se PDK-ja, si subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Kosovës me 22 deputetë, është më afër se kushdo tjetër për të zyrtarizuar një propozim. Ai specifikoi se u duhen edhe 8 nënshkrime për të arritur shifrën 30, duke shtuar se “në rastin më të keq, edhe aty mund t’ju ndihmojmë ne”.
Në mungesë të një dakordësimi politik paraprak, kryeministri paralajmëroi se procesi do të kalojë te “propozimet partiake”. Ai theksoi se kur nuk ka mundësi për marrëveshje, atëherë emrat do të dalin nga vetë partitë që do të merren vesh gjatë garës.
Më tej, ai vuri në dukje se kjo e shtunë e fundit e muajit shkurt po mbyllet pa asnjë emër konkret në tryezë, pavarësisht se afati po skadon. Ky fakt dëshmon për një ngërç që kërkon zgjidhje të shpejtë institucionale.
Në mbyllje të deklaratës së tij, Kurti uroi për një garë sa më demokratike dhe të hapur për postin e Presidentit, duke shprehur dëshirën që kjo sfidë të kalohet sa më parë për të siguruar stabilitetin e vendit. /lajmishqip.net









