Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti i vendit, Dmitry Medvedev, ka reaguar ashpër pas operacioneve të fundit ushtarake të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit. Ai i ka etiketuar amerikanët me ironi të hapur si “paqebërës”, duke vënë në dyshim sinqeritetin e tyre diplomatik.
Përmes një komunikimi në rrjetin social X, Medvedevi deklaroi se proceset negociuese me Iranin shërbyen vetëm si një kamuflazh për planet ushtarake. Sipas tij, ky skenar ishte i paralajmëruar dhe i ditur për të gjithë ndjekësit e zhvillimeve ndërkombëtare.
“Ja ku shfaqet sërish paqebërësi. Diskutimet me Iranin ishin thjesht një maskë; këtë e dinin të gjithë. Tani, pyetja mbetet se kush do të ketë durimin për të parë fundin e trishtë të kundërshtarit?”, shkroi zyrtari i lartë rus, duke provokuar me një krahasim historik mes dy fuqive.
Ai vuri në dukje moshën e Shteteve të Bashkuara, rreth 249 vjeç, përballë historisë mijëvjeçare të Perandorisë Perse, e cila i ka fillesat më shumë se 2,500 vjet më parë. “Le të shohim se çfarë do të ndodhë pas rreth njëqind vjetësh…”, përfundoi ai me një ton sfidues drejtuar Uashingtonit.
Ky reagim vjen në një moment kritik, pas goditjeve izraelito-amerikane mbi Teheranin dhe qytete të tjera iraniane. Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë tashmë sulme raketore drejt territorit të Izraelit dhe bazave strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon./lajmishqip.net
