Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë vënë në pritje të një ftese zyrtare nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të hapur kapitullin e negociatave rreth emrit të presidentit të ardhshëm të Republikës.
Ndonëse kanë kaluar plot shtatë ditë që kur kryeministri paralajmëroi nisjen e konsultimeve me kampin opozitar, dy partitë kryesore konfirmojnë se deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të tregohet e mbyllur, duke mos specifikuar se kur do t’i thërrasë subjektet në tryezën e bisedimeve.
Aktualisht, pushteti i udhëhequr nga Kurti kontrollon 66 vota në Kuvend, por koha po punon kundër tyre. Mandati i Vjosa Osmanit përfundon zyrtarisht më 4 prill 2026, ndërkohë që Kushtetuta e obligon Kuvendin që zgjedhjen ta kryejë deri më 4 mars. Nëse ky afat shkelet pa një rezultat, vendi do të rrëshqasë në mënyrë të pashmangshme drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Deri në këtë fazë, vetëm presidentja aktuale ka shprehur ambicien për të qëndruar në post edhe për pesë vite të tjera, mirëpo ajo ende nuk ka arritur të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për ta zyrtarizuar kandidaturën e saj.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka deklaruar se subjekti i tij është i gatshëm t’i përgjigjet çdo ftese për dialog, por ka insistuar se zgjidhja duhet të jetë rezultat i një dakordimi të mirëfilltë politik.
I pyetur rreth një mbështetjeje të mundshme për Vjosa Osmanin, Behrami potencoi se ende nuk ka asnjë propozim zyrtar në tavolinë. Sipas tij, figura që do të ulet në karrigen e presidencës duhet të jetë mbi të gjitha simbol i unitetit të qytetarëve.
“Qëndrimi i PDK-së mbetet i prerë: zgjedhja e presidentit kërkon konsensus, dialog dhe kompromis që nxjerr një figurë unifikuese për gjithë popullin e Kosovës. Deri më tani nuk kemi asnjë kandidaturë formale dhe as konsulta nuk janë zhvilluar. Sapo të nisë procesi, PDK do ta bëjë publik pozicionin e saj, pasi kryetari tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në çdo takim për këtë temë,” u shpreh ai.
Edhe në taborin e LDK-së po pritet një hap nga kryeministri. Deputeti Armend Zemaj u shpreh se ky proces u takon të gjitha forcave parlamentare, por theksoi se konsensusi duhet të vijë si produkt i negociatave serioze. Ai bëri të ditur se brenda LDK-së nuk ka ende një vendim për ndonjë kandidat të caktuar, duke mos përjashtuar as emrin e Osmanit.
“Çdo subjekt ka obligim të jetë pjesë e këtij procesi, por hapja e temës se si do të arrihet emri sipas rregullave kushtetuese mbetet kyçe. Nuk është se kemi biseduar ende për emra specifikë. Kosova ka njerëz me potencial që mund të shërbejnë si model lidershipi, por LDK ende nuk ka marrë një vendim final politik,” deklaroi Zemaj.
Në anën tjetër, politologu Melazim Koci vlerëson se vonesat aktuale mund të prodhojnë një krizë të re. Ai nuk e përjashton mundësinë që çështja e presidentit të kthehet në mollë sherri, duke e dërguar vendin sërish në zgjedhje gjatë muajit prill.
“Shoh probleme në horizont dhe nuk është e pamundur që pas gjithë punëve të tjera, zgjedhja e presidentit të na dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Aktualisht kemi vetëm dëshirën e Osmanit, e cila nuk ka një mbështetje të konfirmuar as nga partitë opozitare dhe as publikisht nga Vetëvendosja, e cila po mban një heshtje enigmatike,” përfundoi Koci./lajmishqip.net

