Arrestime masive në Prizren për tjetërsimin e votave, policia në krizë për hapësira në qendrat e ndalimit

1 minute, 26 seconds Read

Burime tejet të besueshme konfirmojnë se tashmë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të gjithë personat që u shoqëruan sot në Polici, si pjesë e hetimeve mbi manipulimet në Prizren, ku dyshohet për transferimin e mijëra votave midis kandidatëve për deputetë.

Sipas informatave tona, kjo masë pritet të zbatohet pa përjashtim për të gjithë të ftuarit, duke lënë anash vetëm raste specifike si personat me gjendje të rënduar shëndetësore apo gratë shtatzëna, për të cilët mund të aplikohen trajtime të tjera procedurale.

Sidoqoftë, sfida kryesore për autoritetet e drejtësisë mbetet aktualisht akomodimi i të ndaluarve, pasi raportohet se qendrat e ndalimit në Kosovë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar një numër kaq të madh të arrestuarish në një aksion të vetëm.

Burimet brenda organeve të rendit bëjnë me dije se ekziston një plan që një pjesë e tyre të dërgohen në një sektor të veçantë të burgut të Lipjanit, i cili ishte përdorur më herët për të ndaluarit e skandalit të BKS-së, si dhe në qendra të tjera ku ka hapësira të lira.

Pavarësisht kësaj, vendimi final mbi shpërndarjen e të dyshuarve pritet të merret pas koordinimit të ngushtë mes Prokurorisë dhe Policisë, varësisht nga shifra përfundimtare e personave që do të preken nga urdhri i ndalimit.

Hetimet po vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa konfirmohet se organet e ndjekjes zotërojnë prova të forta elektronike dhe incizime filmike, të cilat dokumentojnë skemën e orkestruar të ndërhyrjeve në procesin e numërimit të votave./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme