Operacioni në Prizren, nisin intervistimet masive në tri stacione për tjetërsimin e mijëra votave

1 minute, 24 seconds Read

Hetimet mbi dyshimet për manipulime në procesin zgjedhor kanë kaluar në fazën vendimtare, teksa po nis një aksion i gjerë për marrjen në pyetje të personave që dyshohen për keqpërdorime gjatë numërimit të fletëvotimeve.

Burimet tona njoftojnë se ky proces hetimor do të shtrihet në tri stacione policore, saktësisht në “ALFA”, Lubizhdë dhe Suharekë, ku njësitë e hetuesve tashmë janë pozicionuar sipas një plani të detajuar operativ.

Bazuar në informacionet e siguruara, grupi i parë i të dyshuarve pritet të paraqitet në ora 08:00, ndërsa faza e dytë e intervistimeve pason në ora 10:00, varësisht nga specifikat e rasteve dhe pesha e përfshirjes së tyre.

Mësohet se një pjesë e të dyshuarve tashmë kanë siguruar avokatë mbrojtës, ndërkohë që hetuesit do t’i ballafaqojnë ata me dëshmi materiale që dokumentojnë ndërhyrjet, duke përfshirë edhe gjetjet kontradiktore nga procesi i fundit i rinumërimit.

Këto hetime synojnë zbërthimin e një skeme të organizuar keqpërdorimesh, ku dyshohet se mijëra vota janë tjetërsuar nga një kandidat te tjetri, veprim ky që ka nxitur shqetësime të mëdha për një manipulim të orkestruar në shkallë të gjerë.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, burimet paralajmërojnë se ekziston mundësia reale që për disa nga të intervistuarit të caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh, nëse vërtetohen dyshimet e bazuara për përfshirje direkte në këtë krim elektoral.

Lajmishqip do të vazhdojë të raportojë në kohë reale për çdo detaj të ri që do të rrjedhë nga ky operacion i rëndësishëm policor./sinjali.com

Publikime te ngjashme