Një aksion masiv hetimor pritet të nisë së shpejti në Prizren, ku dhjetëra komisionerë dhe individë të përfshirë në administrimin e votave do të merren në pyetje si të dyshuar për tjetërsimin dhe transferimin e vullnetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
Burimet tona konfirmojnë se në këtë operacion janë mobilizuar hetues nga Krimet Ekonomike, DKKO dhe stacione policore, të cilët sot do t’i ballafaqojnë të dyshuarit me gjetjet e hetimeve mbi transferimin e mijëra votave nga një kandidat te tjetri, duke sinjalizuar një skemë të mundshme të orkestruar.
Sipas informacioneve që ka siguruar ekskluzivisht portali ynë, procesi i intervistimeve fillon saktësisht në ora 08:00, ndërsa ekipet policore tashmë janë mbledhur në Drejtorinë Rajonale në Prizren për brifingun operacional, ku po përcaktohen rolet dhe strategjia e marrjes në pyetje për secilin rast.
Mësohet se pyetjet janë hartuar me precizitet për çdo të dyshuar, teksa hetuesit do të insistojnë në përgjigje konkrete dhe do të përdorin dëshmi materiale, përfshirë prova elektronike dhe pamje filmike, që sipas burimeve dokumentojnë qartë manipulimet e kryera.
Gjithashtu, burimet bëjnë me dije se një pjesë e të dyshuarve kanë siguruar mbrojtje ligjore, çka pritet ta intensifikojë procesin e intervistimit, marrë parasysh peshën e dyshimeve dhe interesimin e lartë të opinionit publik për këtë rast flagrant.
Hetimet janë përshkallëzuar pas autorizimit nga Prokuroria Themelore në Prizren për grumbullimin e provave dhe listave të personave zyrtarë, përfshirë komisionerët dhe vëzhguesit, si dhe të dhënave që rrodhën nga procesi i fundit i rinumërimit të fletëvotimeve.
Bazuar në rezultatet e para të hetimit, ekziston dyshimi i bazuar se manipulimet janë realizuar nga një grup i caktuar komisionerësh, ndërsa po hetohet me ngulm edhe mundësia që disa prej tyre të kenë pranuar përfitime financiare për këto shërbime ilegale.
Ky rast po trajtohet me prioritet në kuadër të veprave penale kundër procesit zgjedhor, ndërsa rezultatet e aksionit të sotëm do të jenë përcaktuese për hapat e mëtutjeshëm të ndjekjes penale ndaj grupit të dyshuar.
Lajmishqip do t’ju mbajë të informuar në vazhdimësi për çdo zhvillim të ri nga terreni./lajmishqip.net

