Ekskluzive nga Davosi: Presidenti finlandez zbërthen dështimin strategjik të Putinit dhe lindjen e “NATO 3.0”

2 minutes, 24 seconds Read

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e ka cilësuar agresionin rus në Ukrainë si një “dështim të plotë strategjik për Vladimir Putinin”, duke lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj liderit të Kremlinit.

Gjatë një diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Stubb argumentoi se lufta e Putinit ka prodhuar efektin e kundërt, duke forcuar integrimin evropian, unitetin dhe investimet në mbrojtje.

“Ky konflikt është shndërruar në një disfatë totale strategjike për Vladimir Putinin”, deklaroi Stubb. “Ai shkaktoi zgjerimin e NATO-s, e ankoroi Ukrainën në Evropë dhe detyroi shtetet evropiane të rrisin buxhetet ushtarake. Sot, pyetjes nëse jemi të aftë të mbrohemi, i përgjigjem me po”.

Përpjekja e Moskës për të penguar zgjerimin e Aleancës dështoi, pasi lufta shtyu vendet neutralet, si Suedinë dhe Finlandën, drejt NATO-s, duke dyfishuar kufirin e Rusisë me aleancën ushtarake perëndimore.

“Besoj se jemi në procesin e krijimit të një NATO-je më të fuqishme se ajo që pamë pas Luftës së Ftohtë. Kjo në fakt është NATO 3.0”, shtoi presidenti finlandez.

Stubb nënvizoi se Moska ka “tkurrur sferën e saj të ndikimit”, duke vënë re se shtetet në Azinë Qendrore dhe Kaukazin Jugor po “shkëputen nga e ashtuquajtura perandori ruse”.

Pas afro katër vitesh luftime të përgjakshme, ushtria e Moskës ka arritur vetëm përparime minimale në territorin ukrainas, por me një kosto prej qindra mijëra ushtarësh rusë të vrarë.

Sipas Stubb, Rusia numëron rreth një milion viktima, ndërsa fitimet territoriale në Ukrainën lindore, që nga fillimi i ofensivës, përbëjnë vetëm rreth 2 për qind të sipërfaqes së vendit.

Ai vuri në dukje edhe kolapsin ekonomik rus, duke parashikuar se inflacioni në Rusi mund të arrijë shifrën alarmante prej 30 për qind gjatë këtij viti.

Me norma interesi në 15 për qind dhe rritje ekonomike të bllokuar, rezervat financiare të Rusisë janë shteruar nga ky konflikt i stërzgjatur në Ukrainë, shtoi ai.

“Nuk ka rritje, as rezerva e as mundësi për të paguar ushtarët pas luftës”, tha Stubb, duke theksuar frustrimin në rritje të qytetarëve rusë nga kriza që buron prej ekonomisë së luftës.

Këto komente të Stubb u bënë para takimit të radhës midis Putinit dhe të dërguarve të Donald Trump për paqen, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, këtë të enjte.

Ky shënon takimin e shtatë mes Witkoff dhe Putinit që nga rikthimi i Trump në zyre, por deri më tani nuk ka shenja për ndonjë progres substancial drejt paqes.

Presidenti finlandez mbetet skeptik se Moska do ta pranojë planin 20-pikësh të Uashingtonit dhe Kievit, duke insistuar se forcimi i mbështetjes për Ukrainën mbetet jetik./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme