Përgjigjja e ashpër e Otavës: Kanadaja nuk është në mëshirën e Amerikës

1 minute, 24 seconds Read

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u është kundërpërgjigjur këtë të enjte kërcënimeve dhe ofendimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruar gjatë një fjalimi se shteti i tij “nuk mbijeton si lëmoshë e Shteteve të Bashkuara”.

Ky reagim i Carney-t pason një javë tensionesh të larta dhe përshkallëzimi të raporteve diplomatike mes dy vendeve, raporton rrjeti CNN.

“Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë krijuar një partneritet të jashtëzakonshëm në sferën ekonomike, atë të sigurisë, si dhe një ndërveprim të pasur kulturor”, u shpreh Carney gjatë adresimit në Citadelën e Quebec Cityt.

“Mirëpo, Kanadaja nuk ekziston falë vullnetit të mirë të Shteteve të Bashkuara. Kanadaja prosperon sepse ne jemi kanadezë”, potencoi ai më tej.

Më pas, duke folur në frëngjisht, Carney citoi një slogan të njohur politik të Kebekut: “Ne jemi zotër në shtëpinë tonë. Kjo është toka jonë, kjo është e ardhmja jonë dhe zgjedhja është e jona”.

Vendi i mbajtjes së fjalimit nuk ishte i rastësishëm. Citadela u ndërtua në vitin 1820 për t’u mbrojtur nga forcat amerikane, më pak se një dekadë pas një pushtimi amerikan të pasuksesshëm të Kanadasë.

Ndërkohë, Trump ka ashpërsuar këtë javë retorikën e tij kundër Kanadasë. Të martën, ai publikoi një imazh të Amerikës së Veriut ku Kanadaja, Grenlanda dhe Venezuela ishin të mbuluara me ngjyrat e flamurit amerikan.

Një ditë më vonë, gjatë një fjalimi në Davos të Zvicrës, Trump pretendoi se Kanadaja është mosmirënjohëse për shumë “përfitime falas” që, sipas tij, merr nga Shtetet e Bashkuara.

Publikime te ngjashme