Rreth 140 komisionerë të angazhuar në procesin e numërimit në Prizren po përballen me rrezikun serioz të dënimit me burgim nga një deri në pesë vjet. Ky alarm vjen pasi rinumërimi zbuloi një shifër tronditëse: 45,709 vota u ishin shtuar ose hequr kandidatëve gjatë procesit fillestar vetëm në këtë komunë.
Ndonëse hetimet kanë nisur zyrtarisht që të dielën, Prokuroria Themelore mbetet e rezervuar mbi numrin e të intervistuarve. “Çështja ndodhet në fazë fillestare. Për shkak të konfidencialitetit të procedurës, nuk mund të japim detaje apo komente në këtë moment”, deklaruan nga organi i akuzës në Prizren.
Megjithatë, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ishte më e prerë. Ajo paralajmëroi se do të merren në pyetje të gjithë komisionerët e qendrave ku u konstatuan mospërputhje, e madje nuk përjashtohet as intervistimi i kandidatëve për deputetë.
Ky proces nisi një javë më parë, kur KQZ-ja urdhëroi rinumërimin total në Prizren, pasi një verifikim i thjeshtë në dy kuti zbuloi një mospërputhje prej 714 votash. Përfundimi i këtij procesi të dielën nxori në dritë abuzime që detyruan prokurorinë të ndërhyjë menjëherë. Si pasojë, KQZ-ja u ka ndërprerë mandatin të gjithë komisionerëve të përfshirë, ndërkohë që u vendos edhe për rinumërim të plotë në nivel vendi.
Në qendrën e Prizrenit operonin 28 tavolina me nga pesë komisionerë, që përfaqësonin VV-në, PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe komunitetet minoritare. Shifrat e manipulimit janë alarmante: kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizi, i ishin shtuar artificialisht 6,000 vota, ndërsa i gjithë subjekti i tij rezultoi me 19,225 vota të tepërta.
Edhe partitë e tjera nuk mbetën jashtë këtij “fryrjeje”: kandidatët e LDK-së përfituan 4,469 vota fiktive, LVV 3,120, AAK 1,179 dhe subjektet e tjera 1,346 vota. Përveç shtimeve, rinumërimi zbardhi se 16,366 vota u ishin “vjedhur” kandidatëve, ku Uran Ismaili i PDK-së rezultoi më i dëmtuari me 763 vota të hequra.
Kujtojmë se në ditën e zgjedhjeve, në vendvotimet e rregullta në Prizren votuan gjithsej 71,385 qytetarë./lajmishqip.net

