Supremja thotë se e ka kry punën me pensionet, barra e zbatimit të vendimit i mbetet Qeverisë!

1 minute, 24 seconds Read

Gjykata Supreme e Kosovës ka potencuar se përgjegjësia direkte për jetësimin e vendimit rreth lajmërimit të pensionistëve bie ekskluzivisht mbi institucionet ekzekutive kompetente.

Në një sqarim drejtuar opinionit publik, vetëm një ditë pas njoftimit të Ministrisë së Financave mbi detyrimet e reja për disa kategori, Supremja ka saktësuar se misioni i saj është përmbushur me shpalljen e aktgjykimit P.A.nr.16/2025.

“Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata Supreme ka shpallur të kundërligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 4, paragrafin 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, si dhe nenin 5, paragrafët 1 deri 4 të po këtij udhëzimi, të cilët rregullonin procedurat e lajmërimit dhe suspendimit të pagesave. Pas nxjerrjes së vendimit, i njëjti u është dërguar palëve dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare, duke fituar fuqi të plotë juridike. Gjykata nënvizon se ka kryer pjesën e saj të obligimit, ndërsa zbatimi mbetet detyrë e institucioneve ekzekutive dhe jo e gjyqësorit. Supremja nuk ka autoritet ligjor për të monitoruar implementimin e vendimeve nga organet e tjera, ndonëse ato janë të detyrueshme dhe çdo shpërfillje e tyre cenon sundimin e ligjit. Aktgjykimi mbetet i qasshëm për publikun edhe në ueb-faqen tonë zyrtare”, thuhet në reagimin e Gjykatës Supreme.

Ndërkohë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka konfirmuar zyrtarisht se disa kategori specifike të pensionistëve tashmë janë liruar nga detyrimi për paraqitje të rregullt në zyra.

Në grupin e përfituesve që nuk kanë më nevojë të paraqiten bëjnë pjesë ata që marrin pensione kontributive, parciale kontributive si dhe pensionet familjare./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme