Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka bërë të ditur se tashmë ka filluar procesi i dërgimit të pasqyrave vjetore për vitin 2025 drejt të gjithë kontribuuesve.
Sipas komunikatës zyrtare, dokumentet po postohen fillimisht përmes postës elektronike për ata qytetarë që kanë adresat e regjistruara në FKPK, ndërsa ditëve në vijim do të pasojë edhe dërgimi fizik me postë.
“Gjatë këtij viti, numri i pasqyrave që po procesohen përmes emailit arrin në 455,692, ndërkohë që në adresat fizike do të dërgohen gjithsej 167,177 pasqyra vjetore,” njofton Trusti.
Institucioni rikujton se rruga më efikase për monitorimin e kursimeve pensionale në kohë reale mbetet regjistrimi në portalin eTrusti, i cili është i qasshëm në adresën: online.trusti.org.
Po ashtu, pasqyra e llogarisë mund të sigurohet edhe përmes platformës shtetërore eKosova, konkretisht në kategorinë “Kontributet dhe pensioni”. Ky angazhim synon informimin e saktë dhe të shpejtë të çdo kontribuesi mbi gjendjen e kursimeve për vitin 2025./lajmishqip.net
