Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, lëshoi një paralajmërim të prerë këtë të diel, duke deklaruar se çdo agresion ndaj Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, do të interpretohet si deklaratë zyrtare lufte.
Ky reagim vjen pas spekulimeve se administrata Trump po shqyrton opsione për eliminimin ose rrëzimin e Khameneit. Përmes një postimi në rrjetin social X, Pezeshkian theksoi: “Një sulm ndaj udhëheqësit të madh të vendit tonë është i barabartë me një luftë në shkallë të plotë kundër kombit iranian”.
Kreu i shtetit iranian ka fajësuar SHBA-në edhe për trazirat e përgjakshme që kanë përfshirë vendin javët e fundit, ku raportohet për mijëra viktima mes demonstruesve. Sipas tij, vështirësitë ekonomike dhe sanksionet “çnjerëzore” të Uashingtonit janë shkaktarët kryesorë të krizës, raporton The Guardian.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka kërkuar publikisht fundin e mbretërimit 40-vjeçar të Khameneit, duke e cilësuar atë si një lider që duhet të ndalojë dhunën ndaj popullit të tij. Ndërsa protestat e nisura më 28 dhjetor për shkak të inflacionit u shndërruan në thirrje për ndryshim regjimi, autoritetet u kundërpërgjigjën me bllokim total të internetit dhe izolim nga bota.
Megjithatë, përkundër kërcënimeve për sulme të afërta ushtarake, SHBA-ja u tërhoq në momentin e fundit të mërkurën. Burime për Axios bëjnë të ditur se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i kanë kërkuar Trumpit përmbajtje, duke vënë në dyshim efektivitetin e sulmit dhe duke paralajmëruar rreziqe madhore për stabilitetin rajonal./lajmishqip.net
