“Kërcënimi i Kërshëndellave”: Si e frenoi ultimatumi amerikan Millosheviqin të niste luftën në vitin ’92

1 minute, 45 seconds Read

Shkrimtari dhe aktivisti Blerim Shala e ka vlerësuar “Kërcënimin e Kërshëndellave” të Shteteve të Bashkuara si një pikë kthese historike për Kosovën dhe si instrumentin më të fuqishëm të politikës amerikane përballë regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Gjatë një rrëfimi në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Shala solli në vëmendje intensitetin diplomatik të viteve 1991–1992. Ai theksoi se përfaqësuesit politikë shqiptarë kishin krijuar kanale direkte komunikimi me nivelet më të larta në Uashington, përfshirë Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Kongresin.

Sipas Shalës, në vjeshtën e vitit 1992, pala amerikane sinjalizoi Prishtinën për një vendim të jashtëzakonshëm që po piqej. Ky veprim u finalizua me atë që njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave” – një ultimatum i njëanshëm i SHBA-së ndaj Serbisë, i ndërmarrë pa përfshirjen e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë apo NATO-s.

Shala sqaroi se ky paralajmërim nuk ishte rastësi, por produkt i analizave strategjike amerikane mbi rreziqet në Beograd. Rivaliteti politik me Milan Paniqin po e rrezikonte pushtetin e Millosheviqit, duke krijuar frikën reale se ai mund të nxiste një konflikt të armatosur në Kosovë për të mbijetuar politikisht.

Ai zbuloi gjithashtu presionin e senatorëve amerikanë që shqiptarët të merrnin pjesë në zgjedhjet serbe të dhjetorit 1992, me shpresën për demokratizim, kërkesë që u refuzua si problematike. Shala nënvizoi se në atë kohë rreziku për luftë vinte ekskluzivisht nga regjimi serb, pasi shqiptarët nuk kishin asnjë përgatitje ushtarake.

“Kërcënimi i Kërshëndellave” u cilësua nga Shala si brutal por efektiv. Për herë të parë, SHBA-ja bëri të qartë se do të ndërhynte ushtarakisht nëse Beogradi do të ishte shkaktar i luftës në Kosovë. Ky ultimatum, i lënë “amanet” nga presidenti George H. W. Bush dhe i rikonfirmuar nga administrata Clinton, e tronditi Millosheviqin dhe shërbeu si mburojë për Kosovën gjatë gjithë viteve ‘90./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme