Abdixhiku paralajmëron masa të ashpra: Vjedhja e votave ndaj të rinjve është sulm kundër reformës

1 minute, 13 seconds Read

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me tone të ashpra lidhur me manipulimin e votave në disa qytete, duke akuzuar struktura të caktuara për tjetërsimin e vullnetit qytetar në dëm të kandidatëve të rinj reformatorë.

Abdixhiku theksoi se këtyre kandidatëve nuk u është dëmtuar rezultati për shkak të gabimeve të tyre, por pikërisht sepse janë figura të reja dhe të pastra, të cilat nuk i përshtaten politikave të bazuara në interesa të ngushta personale, raporton IndeksOnline.

Sipas kreut të LDK-së, goditja ndaj politikanëve të rinj është sulm i drejtpërdrejtë ndaj reformës dhe gjeneratës që beson në të ardhmen.

“Parisit dhe politikanëve të tjerë të rinj ua tjetërsuan votën jo sepse gabuan, por sepse janë të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që politikën e kanë kthyer në strehë interesi. Kur goditet një i ri, goditet ideja e një gjenerate dhe mbi të gjitha reforma. Kjo rezistencë vjen nga ata që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe duan ta ndalin ndryshimin. Sulmi ndaj emrave të rinj është goditje ndaj punës sonë pesëvjeçare dhe vullnetit të votuesve,” shkroi Abdixhiku.

Në fund, ai paralajmëroi se pas Kuvendit të partisë do të ketë pasoja konkrete: përveç përgjegjësisë ligjore dhe turpit publik, abuzuesit do të mbajnë edhe përgjegjësi politike brenda LDK-së./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme