Ridvan Aliu, figura kyçe pas prodhimit të dronëve kosovarë, ka njoftuar nisjen e prodhimit të katër modeleve të ndryshme me kapacitete të larta, të cilat synojnë të shndërrojnë Kosovën në një lojtar të rëndësishëm në sektorin e mbrojtjes.
Prodhimi ka nisur me dronët e vegjël FPV, ndërsa vëmendja po zhvendoset te modelet gjigante. Aliu zbuloi se aktualisht po punohet në një model me 5 metra krahë dhe një tjetër me 14 metra. Modeli “Vitol”, me pesë metra krahë, ka kapacitet fluturimi deri në 20 kilometra, por pritet të testohet të enjten në det për një distancë prej 1 mijë kilometrash, meqë hapësira në Kosovë është e kufizuar. Ky dron mund të mbajë një ngarkesë deri në 50 kilogramë.
Vizioni i Aliut është i qartë: Kosova të identifikohet me dronin “Skifter”, ashtu si Turqia me Bayraktarin. Ky dron është i fokusuar në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillohet në bashkëpunim me Akademinë, me qëllim që studentët të aftësohen për prodhimin e mjeteve specifike për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe për eksport. “Dëshirojmë që pas zhvillimit për mbrojtjen tonë, ta eksportojmë jashtë. ‘Skifter’ është projekt i përqendruar te nevojat ushtarake”, deklaroi ai në emisionin “Fiks n’Kohë”.
Bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë i vazhdueshëm gjatë vitit 2025, ndërsa hapa konkretë priten me formimin e qeverisë së re. Ndërkohë, droni i quajtur K1 është projektuar për misione mbrojtëse me rreze deri në 1 mijë kilometra. Aliu theksoi se industria po zhvillohet me ritme të shpejta, duke konfirmuar se laboratorë janë hapur pothuajse në çdo qytet të Kosovës, me kapacitet prodhimi deri në 20 dronë FPV në ditë për secilin laborator. /lajmishqip.net
