Një arratisje spektakolare ka tronditur mesditën e së martës Spitalin e Durrësit. I burgosuri Altin Ndoci, 39 vjeç, arriti t’u shpëtojë efektivëve të Policisë së Burgjeve teksa ndodhej në pavionin infektiv për kontrolle mjekësore, raportojnë mediat në Shqipëri.
Sipas të dhënave të para, Ndoci ka goditur me grusht njërin prej efektivëve dhe është përleshur me të tjerët, duke shfrytëzuar rrugën e shkurtër drejt parkimit. Ai ka zbritur me shpejtësi nga kati i tretë dhe është larguar me një mjet të tipit “Audi” i bardhë, i cili po e priste gati jashtë rrethimit. Ndonëse një gardian ka qëlluar me armë në ajër në tentativë për ta ndaluar, i burgosuri ka arritur të humbasë gjurmët.
Policia dhe Drejtoria e Burgjeve konfirmuan arratisjen dhe njoftuan se forca të shumta janë vënë në kërkim të tij. Ndoci, i cili ndodhej në paraburgimin e Durrësit, është një emër i njohur për drejtësinë; ai hetohet nga SPAK-u si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për përfshirje në katër vrasje.
Ky rast po trajtohet me rrezikshmëri maksimale, ndërsa autoritetet po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij të menjëhershme./lajmishqip.net
