Trump “godet” aleatët, zbulohet mesazhi për Putinin dhe paralajmërimi i rëndë për një Evropë që po “zhduket”

1 minute, 18 seconds Read

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Brukselit, duke deklaruar prerazi se lideri rus, Vladimir Putin, “i trembet vetëm fuqisë së Shteteve të Bashkuara, por nuk ndjen asnjë frikë ndaj Evropës”.

Sipas vlerësimit të Trump, qeveritë evropiane aktuale nuk e posedojnë autoritetin dhe ndikimin e duhur strategjik për të frenuar ambiciet e Kremlinit në rajon.

Në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e mediave, Trump e ka përjashtuar mundësinë e një operacioni të stilit “Maduro” për kapjen e Putinit, duke e cilësuar një ndërhyrje të tillë ushtarake si tërësisht të panevojshme në rrethanat aktuale.

“Putini nuk tregon asnjë shenjë frike ndaj Evropës. Ai i druhet vetëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës, posaçërisht kur ato udhëhiqen nga unë”, ka potencuar Trump me tone të prera.

Ai ka ritheksuar qëndrimet e tij kritike për gjendjen e kontinentit të vjetër, duke thënë se Evropa ka “ngecur mbrapa” dhe se rajone të tëra janë bërë “të panjohshme” si pasojë e flukseve të pakontrolluara të emigracionit.

Këto deklarata vijnë në një kulm të ri tensionesh gjeopolitike, pasi Rusia testoi raketën e re balistike hipersonike “Oreshnik” mbi Ukrainë, duke goditur një objektiv vetëm 100 kilometra larg kufirit të Polonisë, shtet ky anëtar i NATO-s.

Moska zyrtare pretendoi se ky sulm erdhi si kundërpërgjigje ndaj një tentative të supozuar me dronë kundër rezidencës së Putinit, akuzë kjo që është hedhur poshtë kategorikisht nga Kievi./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme