Pamje tronditëse nga mjekësia ligjore në Teheran, qindra kufoma në thasë të zinj e britma dëshpërimi nga familjarët

1 minute, 32 seconds Read

Raportimet e fundit nga CNN përshkruajnë skena rrëqethëse në Teheran, ku turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Qendrën e Mjekësisë Ligjore “Kahrizak”, në një përpjekje të dëshpëruar për të identifikuar familjarët e tyre mes qindra trupave të pajetë.

Qytetarët janë rreshtuar para monitorëve që shfaqin imazhet e të ndjerëve, ndërsa burimet bëjnë të ditur se numri i trupave të grumbulluar mund të arrijë deri në 250.

Në pamje të tjera të siguruara nga CNN, shihen trupa të vendosur në thasë të zinj, të rreshtuar përgjatë trotuarit jashtë ndërtesës, të rrethuar nga njerëz të traumatizuar.

Britmat e dëshpërimit dhe personat që shpërthejnë në vaj pranë të afërmve të tyre dominojnë atmosferën e rëndë në këtë zonë.

Disa prej viktimave janë vendosur përkohësisht në një hapësirë me dhe pranë objektit, derisa familjet vazhdojnë kërkimin e ethshëm për të identifikuar personat e tyre të dashur.

Në një përpjekje për të kontrolluar narrativën, agjencia shtetërore e lajmeve “Tasnim” ka publikuar video nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku shfaqet një gazetar duke intervistuar personat që pohojnë se të afërmit e tyre nuk ishin pjesë e protestave. Një burrë i thyer emocionalisht rrëfen para kamerës se partnerja e tij, e cila mbështeste qeverinë, humbi jetën pasi u godit në kokë nga një gur.

Gjatë raportimit, gazetari i regjimit deklaron se mesin e viktimave ka protestues që “kërkonin konfrontim” me forcat e rendit ose që “tentuan të sulmonin bazat ushtarake duke përdorur armë”.

“Sidoqoftë, pjesa dërrmuese e këtyre viktimave ishin qytetarë të thjeshtë nga familje të zakonshme”, shton ai në fund të raportimit të tij./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme