Mbretërit e Spanjës: Barcelona mposht Real Madridin në një finale dramatike dhe ngre trofeun në Jeddah

1 minute, 12 seconds Read

Ylli brazilian, Raphinha, ka shkëlqyer me dy gola vendimtarë për t’i siguruar Barcelonës triumfin e madh në finalen e Superkupës së Spanjës. Në përballjen titanike të zhvilluar të dielën mbrëma, Barcelona mposhti Real Madridin me rezultatin e ngushtë 3:2, në një ndeshje që dhuroi emocione të jashtëzakonshme.

Finalja e madhe, e cila u zhvillua në Jeddah të Arabisë Saudite, konfirmoi dominimin e katalunasve në këtë garë. Me këtë fitore, Barcelona e ka ngritur trofeun e Superkupës për herë të 16-të në histori, duke thelluar rekordin e saj, ndërsa Real Madridi mbetet në kuotën e 13 trofeve.

Ndeshja ishte tejet dramatike, por u karakterizua nga një dominim i lehtë i Barcelonës. Golin e triumfit e shënoi Raphinha në minutën e 73-të, pas një asistimi nga Dani Olmo, ku topi pësoi një devijim para se të ndalej në rrjetë.

Pjesa e parë ishte një “shou” i vërtetë golash që u mbyll me shifrat 2:2. Raphinha hapi serinë e golave në minutën e 36-të, por Vinicius Junior barazoi në 1:1 në minutën e dytë shtesë pas një aksioni brilant individual. Robert Lewandowski riktheu epërsinë e Barcelonës në minutën e katërt shtesë, por vetëm dy minuta më vonë, talenti 21-vjeçar Gonzalo Garcia barazoi sërish rezultatin, duke i dërguar skuadrat në pushim me baraspeshë të plotë. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme