Hykmete Bajrami thyen rekorde me mbi 57 mijë vota, zotohet për ringritjen e LDK-së: Dorëzimi nuk është opsion

2 minutes, 5 seconds Read

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka shprehur mirënjohje të thellë për votuesit e partisë dhe mbështetësit e saj personalë, pasi siguroi edhe një mandat tjetër në Kuvendin e Republikës.

Me një total prej 57,153 votash, Bajrami deklaroi se në një kohë kur “propaganda, korrupsioni dhe tendencat për rrënimin e demokracisë po godasin themelet e shtetit”, ajo do të mbetet zëri i fuqishëm i qytetarëve kundër këtyre dukurive.

“Do të angazhohem çdo ditë për të vërtetën, pasi vetëm ajo na çliron, na unifikon dhe na mundëson progresin si shoqëri”, u shpreh ajo.

Bajrami nënvizoi se pavarësisht rezultatit të LDK-së në këto zgjedhje të parakohshme, dorëzimi mbetet i jashtëzakonshëm si opsion, duke insistuar se partia do të ringritet pasi “nuk ka rrugë tjetër”.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Tani që procesi i numërimit është përmbyllur, dëshiroj të falënderoj 126,102 votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prej tyre, 57,153 qytetarë më kanë besuar votën, duke më mundësuar që për të shtatën herë të jem përfaqësuese në Kuvend.

Ju jam mirënjohëse secilit prej jush. Votat tuaja për mua nuk janë thjesht numra, por një vlerësim për punën time shumëvjeçare dhe një përgjegjësi e lartë që më obligon të vazhdoj me përkushtim, integritet dhe guxim.

Gjatë mandateve të mia kam luftuar pareshtur kundër korrupsionit, për llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik. Mirëpo, beteja vazhdon pasi sot demokracia jonë po sulmohet frontalisht. Kundër këtyre sulmeve do të jem zëri juaj, pa asnjë kompromis. Do të punoj për të vërtetën, sepse ajo është udhërrëfyesi ynë i vetëm.

Dua ta bëj të qartë: dorëzimi i LDK-së nuk është opsion. Pavarësisht rrethanave, LDK ka dëshmuar se ndërton standarde edhe në kohë sfidash. Rezultati i 28 dhjetorit kërkon reflektim dhe përgjegjësi nga të gjithë ne. Ringritja dhe rikthimi i LDK-së është rruga e vetme, duke vendosur gjithmonë interesin e partisë para individit dhe atë të Kosovës para çdo subjekti.

E kam thënë dhe po e përsëris: bashkë nuk do të ndalemi. LDK do të rikthehet sërish e para, përmes punës, besimit dhe fuqisë së ekipit tonë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme