Tetëmbëdhjetë vjet nga koalicioni i “Pavarësisë”, prapaskenat dhe sfidat e qeverisë Thaçi 1

2 minutes, 31 seconds Read

Më 9 janar të vitit 2008, Kosova shënoi një kthesë politike me formimin e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi. Kjo ekzekutiv i ri përbëhej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 dikastere ministrore. Kabineti erdhi si rezultat i zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku PDK korri fitore me 34%, e ndjekur nga LDK me 23%, AKR me 12%, ndërsa AAK dhe LDD siguruan nga 10%. Partitë e tjera si ORA dhe PD morën 4% respektivisht 2%, derisa subjektet e pakicave grumbulluan 5% të votave.

Në këtë periudhë, prioriteti absolut i ekzekutivit ishte shpallja e pavarësisë dhe hartimi i Kushtetutës, duke ruajtur një unitet politik deri në fuqizimin e aktit më të lartë juridik. Megjithatë, vëmendja nisi të devijonte drejt qeverisjes së brendshme në prill të atij viti, kur u prezantua strategjia zhvillimore 2008-2011. Derisa opozita ashpërsonte kritikat, qeveria krijoi mekanizma monitorues për ligjet dhe në korrik nisi procesin historik të pajisjes së qytetarëve me pasaporta të Republikës së Kosovës.

Design Plus Carousel Ad

Gjatë shtatorit, lidershteti u dakordua për emërimin e dhjetë diplomatëve të parë në vendet që njohën shtetin e ri. Raportet e kohës vlerësonin një forcim të pjesshëm të pushtetit lokal, sidomos me miratimin e legjislacionit për kufijtë komunalë dhe decentralizimin, që ishin pika kyçe në Partneritetin Evropian. Sidoqoftë, përkushtimi ndaj pavarësisë krijoi ngecje në adresa të tjera, ku madje edhe vetë deputetët e koalicionit shfaqën rezistencë ndaj programit katërvjeçar të qeverisë.

Në veri të vendit, sfidat mbeteshin evidente ku autoriteti i Prishtinës ishte i kufizuar në sektorët e sigurisë, drejtësisë dhe doganave. Komunat veriore filluan aplikimin e ligjeve të Serbisë, duke krijuar një sistem paralel për shërbimet bazike. Si përgjigje, qeveria vendosi të zgjasë mandatet e kryetarëve në komunat veriore dhe Shtërpcë, duke mbështetur vendimet e UNMIK-ut për të mos njohur legjitimitetin e zgjedhjeve lokale serbe të mbajtura në maj të vitit 2008.

Rikonfigurimi i misionit të UNMIK-ut solli një vakum kompetencash, veçanërisht mbi fatin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Ndërkohë, legjitimiteti ndërkombëtar i Kosovës kontestohej nga shtetet mosnjohëse, duke vështirësuar pjesëmarrjen në forume globale. Raporti i progresit ngrinte shqetësime edhe për ndërhyrje politike në emërimet e bordeve publike, si dhe për vendime buxhetore që konsideroheshin në kundërshtim me frymën kushtetuese.

Përkundër këtyre vështirësive administrative dhe politike, data 17 shkurt 2008 mbetet kulmi i këtij mandati dhe i historisë sonë moderne. Ligjvënësit e Kosovës, në një akt solemn dhe historik, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke përmbushur amanetin shekullor. Ky moment shënon padyshim pikën më të lartë të këtij koalicioni, duke e vendosur Kosovën përfundimisht në hartën e shteteve të lira dhe sovrane./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme