Deri më tani, dhjetëra persona janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e një ekipi të madh prokurorësh që po zbatojnë një operacion masiv në shkallë vendi, raporton Gazeta Sinjali.
Referuar të dhënave të siguruara nga terreni, aksioni ka çuar në prangosjen e personave që dyshohen për vepra të rënda penale si “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se në listën e të prangosurve janë: Sami Mazreku – ish-drejtor, Valon Berisha – ish-drejtor i financave, Valon Duraj, Naser Biri, si dhe ish-pronari i subjektit “Parts Center”.
Zhvillimin e këtij operacioni të përmasave të mëdha e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili bëri të ditur se është duke koordinuar personalisht lëvizjet policore në Prishtinë.
“Aksioni është i shtrirë gjerësisht dhe shënjestron të dyshuar në tërë territorin e Kosovës, ku objektiv i hetimit tonë janë mbi 40 persona”, u shpreh Kryeziu./lajmishqip.net
