Goditet kupola e Byrosë së Sigurimeve, pranga Sami Mazrekut për avullimin e miliona eurove

0 minutes, 59 seconds Read

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, me autorizim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka nisur një operacion masiv policor i shtrirë në mbarë territorin e Kosovës. Ky aksion synon vënien para drejtësisë të rreth 40 personave, të cilët janë identifikuar si të dyshuar në një rrjet të gjerë abuzimesh.

Deri në këto momente, është konfirmuar prangosja e ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku. Ndërkohë, njësitë policore janë vënë në ndjekje të ish-shefit të financave të këtij institucioni, Valon Berishës, i cili mbetet në kërkim.

Burime të besueshme brenda procesit hetimor bëjnë të ditur se prokuroria ka nisur këtë ndërhyrje pas dyshimeve për zhdukjen e mbi 1 milion eurove nga llogaritë e BKS-së gjatë mandatit të Mazrekut. Organet e ndjekjes kanë mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë skemën e abuzimit, duke çuar në zgjerimin e mëtutjeshëm të hetimeve.

Gazeta Insajderi ka qenë e para që ka denoncuar publikisht këtë skandal, përmes një serie shkrimesh investigative që nxorën në dritë parregullsitë e shumta dhe keqmenaxhimin brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme