Mbrëmjen e sotme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë urgjente në Komunën e Malishevës, ku u prit nga kryetari Ekrem Kastrati. Ky takim kishte për synim informimin e dorës së parë mbi situatën e rënduar nga reshjet intensive dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet kjo komunë.
Pas diskutimeve fillestare, Osmani dhe Kastrati kanë inspektuar nga afër digën e Liqenit të Mirushës, për të vlerësuar gjendjen teknike dhe rrezikun potencial që mund të kanoset nga ndonjë çarje e mundshme.
Vjosa Osmani ka vlerësuar lart angazhimin e autoriteteve të Malishevës dhe ekipeve emergjente në terren, duke shprehur përkrahjen e saj për qytetarët dhe strukturat lokale. Ajo potencoi se, përkundër rrethanave kritike, fakti që nuk ka viktima në njerëz dëshmon se mbrojtja e jetës ka mbetur prioriteti kryesor institucional.
“Përmes bashkëpunimit mund t’i menaxhojmë dhe parandalojmë këto kriza, sidomos tani kur pikat kritike janë identifikuar, duke lehtësuar ndërhyrjen e koordinuar mes të gjitha niveleve të pushtetit”, ka deklaruar Presidentja Osmani, duke garantuar mbështetjen e institucionit që ajo drejton, sipas komunikatës zyrtare.
Nga ana tjetër, kryetari Ekrem Kastrati e njoftoi në detaje Presidenten mbi masat operative të ndërmarra, planet e menaxhimit të krizës dhe kërcënimet që i janë kanosur zonës. Ai bëri të ditur se Shtabi Emergjent është në gatishmëri të plotë, duke mbajtur komunikim të pandërprerë me AME-në dhe FSK-në për t’u dalë në ndihmë familjeve të rrezikuara.
“Monitorimi i digës në Mirushë është bërë pa ndërprerje, duke pasur parasysh rrezikun serioz nga ndonjë avari teknike”. Gjithashtu, Kastrati e ka vënë në dijeni Presidenten edhe për bilancin e deritanishëm të dëmeve materiale në territorin e komunës.
Kreu i Malishevës ka kërkuar zyrtarisht ndihmën e nivelit qendror për riparimin e pasojave, kompensimin e banorëve dhe rindërtimin e menjëhershëm të infrastrukturës, me fokus të veçantë te diga dhe urat e dëmtuara.
Osmani, gjatë vizitës së saj në terren, ka qëndruar edhe në Gjakovë për të parë pasojat e vërshimeve, ku ka shprehur solidaritetin e shtetit dhe ka vlerësuar mobilizimin institucional për kapërcimin e kësaj emergjence natyrore./lajmishqip.net

