Përveç ekzekutivit që ndodhet në detyrë prej afro një viti, një numër i madh i institucioneve shtetërore në Kosovë po operojnë me ushtrues detyre, duke krijuar një zinxhir të gjatë udhëheqësish të përkohshëm.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, pozita të rëndësishme si drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, udhëheqësit e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Inspektoratit të Punës janë ende me ushtrues detyre. Ngjashëm, në Ministrinë e Drejtësisë, kjo dukuri ka përfshirë Avokaturën Shtetërore, Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Ndihmën Juridike Falas, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe inspektoratet përkatëse.
Edhe brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucione jetike si Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil mbeten pa drejtues të rregullt. Situata rëndohet edhe në Kuvendin e Kosovës, ku për shkak të mosfunksionimit, ka përfunduar mandati i Avokatit të Popullit dhe pesë zëvendësve të tij, të cilët qëndrojnë në detyrë vetëm sipas detyrimit ligjor deri në zëvendësimin e tyre. Po ashtu, mungesa e bordeve ka lënë jofunksional Komisionin e Pavarur për Media dhe bordin e RTK-së.
Një nga pozitat më jetike që vijon të mbetet pezull është ajo e Kryeprokurorit të Shtetit. Që nga viti 2022, institucioni është udhëhequr nga ushtrues detyre, fillimisht Besim Kelmendi dhe së fundmi Agron Qalaj, ndërsa procesi është bllokuar nga mospajtimet mes Këshillit Prokurorial dhe Presidencës për dekretimin e kandidatëve.
Sektori i energjisë nuk bën përjashtim; Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është pa kryeshef fuqiplotë që prej dy vitesh e gjysmë, pas largimit të Nagip Krasniqit. Edhe KOSTT-i, pas shkarkimit të Evetar Zeqirit në maj të vitit 2025, po udhëhiqet nga një ushtrues detyre, ashtu si dhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Shoqëria civile ka alarmuar vazhdimisht se ky fenomen po kthehet në mjet abuzimi nga ana e ekzekutivit për të mbajtur kontroll mbi këto institucione. /lajmishqip.net
